Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër lidhur me një artikull të Klan Kosovës, ku thuhet se “Përparim Rama, AAK dhe Nisma bëhen bashkë për shkatërrimin e Prishtinës, PDK dhe VV i dalin kundër”.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka goditur ashpër Devollët, duke thënë se mediumi në pronësi të oligarkëve po keqinformon, pasi sipas tij, ka vepruar në të mirë të qytetarëve dhe “jo për interesa të një familje oligarke”.
“Kur vepron në të mirë të qytetarëve dhe jo për interesa të një familje oligarke, mediumi në pronësi të oligarkëve shndërrohet në medium që keqinformon dhe humb çdo vlerë të gazetarisë së paanshme dhe profesionale.”
Artikulli lidhet me planin zhvillimor të Prishtinës 2024-2032, që ka dështuar të hidhet në votim në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të kryeqytetit, pasi hasi në kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, por jo edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.