Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar sot raportin më të fundit të monitorimit të gjykimeve për trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga Gjykatat Themelore në Kosovë.
Sipas njoftimit thuhet se raporti analizon të dhënat e mbledhura nga 141 raste civile dhe penale të dhunës në familje në 2023, si dhe vlerëson përputhshmërinë e shtatë Gjykatave Themelore me standardet ligjore vendore dhe ndërkombëtare.
Raporti nënvizon dy mangësi kryesore në lidhje me rastet e dhunës në familje: vonesat dhe mosrespektimin e afateve procedurale, si dhe përdorimin e shpeshtë të dënimeve alternative ose të buta.
“Për shembull, raporti vëren shkelje të afateve procedurale në 24 për qind të 29 seancave dëgjimore për urdhrin e mbrojtjes në procedurë civile, të monitoruara nga OSBE, duke lënë gati një të katërtën e viktimave pa zgjidhje me kohë, si dhe duke i ekspozuar ato ndaj dhunës së mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Për sa i përket praktikave të dënimit, dënimi me burg u shqiptua vetëm në 22 për qind të rasteve, ndërkohë që shumica dërrmuese e gjyqtarëve kanë zgjedhur ose të gjobisnin kryesin, të aplikojnë dënim alternativ (si dënimi me kusht, gjobë me kusht ose pa gjobë), ose të vendosin masa të tjera (siç janë aktgjykimet që urdhërojnë vlerësim të detyrueshëm psikiatrik) në 78 për qind të rasteve.
Aty ku është shqiptuar burgimi efektiv, dënimi mesatar ishte pak më shumë se pesë muaj, ndërsa dënimi mesatar me burgim me kusht ishte gati gjashtë muaj e gjysmë.
Shuma mesatare për gjobat efektive dhe ato me kusht ishte 350€.
“Trajtimi i këtyre mangësive gjyqësore është imperativ jo vetëm për mbrojtjen e viktimave, por edhe për integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës”, tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.