Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë për këtë vit.
Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku përfshihen moshat 15-64 vjeçare.
Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.5 përqind. Ndërkaq shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë të këtij viti është 29.3 përqind.
Punësimi më i lartë në tre muajt e parë të vitit 2021 ishte te meshkujt me 42.8 përqind, ndërsa punësimi te femrat ishte 15.9 përqind.
“Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53.0 përqind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 43.1 përqind të tyre”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Statisttikave të Kosovës.
“Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.8 përqind; prodhimi me 12.4 përqind; arsimi me 11.1 përqind; dhe ndërtimtaria me 9.4 përqind”.
“Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 44 përqind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 56 përqind kanë kontratë të përkohshme.
Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore, në tre muajt e parë të këtij viti, shkalla e papunësisë është 25.8 përqind.
Sipas ASK-së, papunësia më e theksuar është te femrat me 29.7 përqind, krahasuar me meshkujt, 24.2 përqind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 48.6 përqind.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2021, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 60.5 përqind, me fokus të veçantë te femrat me 77.3 përqind, krahasuar me meshkujt, 43.5 përqind.