Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është bërë administrimi i provave materiale të propozuara nga ana e prokurorit Valdet Gashi në rastin e njohur si “Veteranët”.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Prokurori Gashi theksoi se mbetet në tërësi pranë provave materiale sikurse në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Apelit kishte rekomanduar që prova e titulluar “19 mijë e 500 aplikacione”, të administrohet si provë materiale, siç edhe ishte propozuar nga Prokuroria. E administrimin e kësaj prove, prokurori Gashi tha se ia lë gjykatës në diskrecion të vendosë.
Kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri, vlerësoi se duhet që të administrohen vetëm një numër i caktuar i këtyre aplikacioneve, si dhe të elaborohen një për një, sikurse thotë rekomandimi i Gjykatës së Apelit.
Në anën tjetër, mbrojtja pati kundërshtim lidhur me vlerësimin e gjykatësit Bahtiri, duke kërkuar që të administrohen të gjitha aplikacionet (19 mijë e 500) ose asnjë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Agim Çeku, avokati Ramë Gashi, tha se e kundërshton administrimin e kësaj prove dhe e konsideron vendimin e Apelit si të paqëndrueshëm. Këtë qëndrim e mbështeti edhe i akuzuari Çeku.
“Si mbrojtje, për mua qëndron i pabazuar, nëse Gjykata cakton se është e njevojshme me numër. Atëherë, mendoj se dy apo tri aplikacione, është e mjaftueshme në mënyrë që të respektohet parimi i efikasitetiet edhe azhuritetit”, tha avokati Gashi.
Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Nuredin Lushtaku, avokati Tahir Rrecaj konsderoi se provat e propozuara nga prokurori Gashi, nuk kanë të bëjnë me të akuzuarin Lushtaku.
Ndërsa, për vlerësimin e provës për 19 mijë e 500 aplikacionet, nuk pati kundërshtime. Qëndrimin e tij e mbështeti edhe i akuzuari Lushtaku.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Sadik Halitjaha, avokati Eset Berisha, kundërshtoi provat e propozuara nga prokurori Gashi. Kurse, lidhur me provën që kishte të bënte me aplikacionet, propozoi që të merren vetëm dy apo tri aplikacione (për zonë). Të njëjtin qëndrim e mbështet dhe i akuzuari Halitjaha.
Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokatja Genta Ragipi, theksoi se bashkë me të mbrojturin e tij kanë të njëjtin qëndrim sikurse në gjykimin e parë për provat e propozuara nga prokurori.
Ndërsa, administrimi i provës “19 mijë e 500 aplikacione”, sipas saj, është e panevojshme. Kurse, Demalijaj tha se duhet të administrohen të gjitha aplikacionet.
“Konsideroj se duhet ose të adminisrohen të gjitha ose jo vetëm një pjesë e tyre”, tha ai.
Mbrojtësi i të akuzuarit Qelë Gashi, avokati Gafur Elshani, konsideroi se provat e propozuara nga prokurori janë të pavlefshme dhe të kundërligjshme.
Ndërsa, për “19 mijë e 500 aplikacionet”, tha se e kundërshton. Qëndrimin e avokatit e mbështeti dhe i akuzuari Gashi.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Buja, avokati Fadil Jashari, i konsideroi si të papranueshme provat e propozuara, kurse për provën “19 mijë e 500 aplikacione”, tha se qëndron pranë deklarimeve të avokatëve paraprakë.
“Këto prova janë të papranueshem, ndërsa sa i përket pikës së dytë (19 mijë e 500 aplikacione), i mbështes parafolësit- avokatët se për çdo regjion së paku tri ose pesë, për çdo regjion të merren aplikacione dhe të vërtetohet gjendja faktike”, tha avokati Jashari.
Kurse, i akuzuari Buja e mbështeti pjesërisht qëndrimin e avokatit të tij Jashari. Ai kërkoi që këto prova të hudhen poshtë.
“Duhet të hudhet poshtë si provë materiale lista e aplikacioneve”, tha i akuzuari Buja.
Po ashtu, edhe avokatja Kadina Bogaj-Thaqi, pati kundërshtime lidhur me propozimin e provave të propozuara nga ana e Prokurorisë dhe shtoi se kanë të njëjtin qëndrim me mbrojtjen parprake të të mbrojturit të saj, Ahmet Daku. E ky i fundit, kërkoi të administrohen të gjitha provat.
Avokati Artan Qerkini tha se nuk janë kundër administrimit të provës së 19 mijë e 500 aplikacioneve, por kanë kundërshtime për pjesën përmbajtjesore. Qëndrimin e avokatit e mbështeti edhe i mbrojturi i tij, Rrustem Berisha.
“Ne s’e kemi kundërshtuar përmbajtjen e aplikacioneve, por kundërshtimet tona kanë qenë të natyrës përmbajtjesore. Nëse trupi gjykues vendos që ato aplikcione të administrohen, të thirren nga dy apo tre dëshmitarë për secilën zonë”, tha Qerkini.
Ndërsa, avokati Naim Rudari, mbrojtësi i të akuzuarit Faik Fazliu i kundërshtoi në tërësi provat e propozuara nga Prokuroria, si dhe kërkoi që këto prova të shpallen si të pavlefshme. Të njëjtin qëndrim e mbështeti në tërësi edhe i akuzuari Fazliu.
Po ashtu, edhe avokati Nystret Islami, mbrojtës i të akuzuarit Smajl Elezaj, kundërshtoi provat e propozuara nga ana e Prokurorisë.
Islami i konsideroi si të pavlefshme, ndërsa pati kundërshtime edhe për listën e aplikacioneve pasi që sipas tij nuk ndërlidhen me të mbrojturin e tij.
Kurse, mbrojtësja e Fadil Shurdhajt, avokatja Elsa Musaj kundërshtoi provat e aplikacioneve, pasi që sipas saj janë të papranueshme.
Ndërsa, kundërshtimet e provave tjera tha se do t’i paraqesë në fjalën përfundimtare. Qëndrimin e saj e mbështeti i akuzuari Shurdhaj.
Po ashtu, avokati Afrim Salihu tha se e kundërshton propozimin e listës së aplikacioneve. Të njjëtin qëndrim e mbështet edhe i mbrojturi i tij, i akuzuari Xhavit Jashari.
Krejt në fund, gjykatësi Bahtiri i dha mundësi Prokurorisë për prezantimin e listës së aplikacioneve në tërësi prej 19 mijë e 500 aplikacione.
Ndërsa, propozimin që këto prova të shpallen si të papranueshme, gjykatësi Bahtiri e refuzoi pasi që sipas tij nuk ishin në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale të asaj kohe.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.
Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.
Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.