Një aksion i Policisë i zhvilluar në Lipjan ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprimtarinë e kundërligjshme të fajdes. I dyshuari tashmë është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij kanë nisur hetimet.
Personi i arrestuar është i moshës së mitur, i cili ra në prangat e Policisë pas denoncimit të dy personave.
I mituri, i moshës 17-vjeçare, po dyshohet se i ka kërcënuar dy persona dhe ka tentuar t’i vë në lajthitje për të kryer pagesa në formë të fajdes.
Bazuar në informacionet që posedon Sinjali, i dyshuari ka tentuar që t’i detyrojë dy viktimat që t’ia japin një shumë të të hollave që i njëjti pretendon se ia kishte marrë xhaxhai i tyre.
Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 24 orë dhe ndaj tij të ndërmerren veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor.