Një aksident i rëndë trafiku që ndodhi sot mes një veture dhe një autobusi në fshatin Keqekollë të Prishtinës, la të vdekur një person dhe 14 të tjerë mbetën të lënduar. Policia ka kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes, teksa tashmë po ndërmerren veprimet e tjera, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar vesh se vdekja e viktimës është konstatuar në QKUK nga ekipi mjekësor dhe trupi i pajetë është dërguar më pas në IML për obduksion.
Ndërkohë, si pasojë e lëndimeve, 14 qytetarë janë trajtuar në Emergjencë dhe më pas janë liruar.
Mjeku kujdestar në këtë klinikë, Ejup Govori, ka deklaruar se të lënduarit janë liruar pasi nuk kanë pasur lëndime serioze.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 14:30, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në fshatin Keqekollë të Prishtinës. Deri më tani bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë. Për pasojë një person ka humbur jetën ndërkaq katërmbëdhjetë të tjerë kanë kërkuar ndihmën mjekësore. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.”