Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, deri më tani janë identifikuar 48 persona të dyshuar që kanë marrë pjesë në këtë sulm, ndër të cilët tre persona të neutralizuar gjatë operacionit antiterror të asaj dite.
Po ashtu, sipas policisë deri më tani nga ky sulm terrorist, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, janë ngritur kallëzime penale kundër 45 personave, duke përfshirë edhe tre persona që janë nën masën e paraburgimit.
Siç ka konfirmuar policia për Dukagjinin, këta të dyshuar akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë: Vrasje e rëndë, Sulmi kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese, Kryerja e veprës terroriste, Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, Shpëlarja e parave, Financimi i terrorizmit”.
Policia e Kosovës ka ngritur urdhërarreste vendore kundër 41 personave të dyshuar dhe 39 urdhërarreste ndërkombëtare.
Të gjitha të gjeturat nga ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe dëshmive të sekuestruara janë vënë në dispozicion të Prokurorisë Speciale.
“Të gjitha të gjeturat gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, dëshmive të sekuestruara, por edhe gjatë analizimit dhe ekzaminimit të dëshmive, së bashku me të gjitha shkresat e lëndës dhe dokumenteve përcjellëse janë vënë me kohe në dispozicion të Prokurorisë Speciale”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e policisë për Dukagjinin.
Ndërkaq, për të zhvilluar hetime të plota, disa prova se janë dërguar jashtë vendit për ekzaminim, për të cilat thuhet ende nuk janë pranuar përgjigjet.