Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, ka deklaruar se projektligji për Komisionin e Pavarur për Media rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.
Ai ka thënë se pavarësisht disa ndryshimeve, projektligji i propozuar i KPM-së ende nuk përfshin disa rekomandime kyçe nga Këshilli i Evropës në opinionin e vet ligjor.
“Nëse miratohet, ligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias për shkak të qëllimit të tij të paqartë, përkufizime të paqarta, sanksione të paparashikueshme dhe dispozita problematike për dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme”, ka thënë O’Flaherty.
Me qëllim që të përmirësohet në aspektin e të drejtave të njeriut, sipas tij, projektligji duhet të kalojë nëpërmjet procesit të konsultimit të gjerë me shoqërinë civile, ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare.
Projekligji për KPM-në të enjten është në rend të ditës për t’u votuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.
Zyra e Komisionerit O’Flaherty kishte publikuar raportin për Kosovën gjatë vitit 2022, me të cilin kishte identifikuar sfida që ndërlidhen edhe me lirinë e medias.
Roli i Komisionerit të Këshillit të Evropës është inkurajimi i reformave për përmirësimin dhe promovimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Reagimi i BE-së
Të mërkurën, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë gjithashtu ngriti shqetësime për Projektligjin mbi Komisionin e Pavarur të Mediave, duke deklaruar se nuk reflekton shumicën e rekomandimeve nga Opinioni Ligjor i Këshillit të Evropës. Këto rekomandime adresojnë çështje kritike, përfshirë kompetencat dhe financimin e Komisionit, procedurat e zgjedhjes dhe afatet e shërbimit për anëtarët e tij, dhe proporcionalitetin e sanksioneve. Ndërsa pranojnë disa ndryshime të rëndësishme në rregullimin e medias, BE-ja theksoi nevojën për rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore dhe përputhjen me standardet e BE-së dhe Këshillit të Evropës.
Thirrja e AGK-së
Në muajin maj, AGK-ja i kishte kërkuar Kuvendit që ta përmirësojë projekligjin për KPM-në pas reagimit nga Këshilli i Evropës.
“Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në njoftimin e AGK-së të publikuar më 27 maj.