Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë raportohen ngjarje të tilla dhe mjaft të trishta, ku viktima janë kryesisht vajzat dhe gratë. Ato përjetojnë dhunë fizike e psikike nga partnerët, por edhe anëtarët e tjerë të familjes.
Një konflikt familjar ka ndodhur edhe të martën në një familje në Pozhar të Deçanit, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht tri motrat e tij.
Burimet brenda Policisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 35-vjeçar, recidivist i dhunës në familje.
Siç zbulojnë burimet, ai fillimisht i ka kërcënuar familjarët dhe më pas i ka rrahur tri motrat e tij.
Si rezultat i raportimit, Policia është aktivizuar dhe e ka arrestuar të dyshuarin. Pas intervistimit, ai me urdhër të Prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.