Deputeti katalunas, Eduard Pujol Bonell, ka marrë fjalën për të prezantuar në Parlamentin e Spanjës propozimin e “Junts” që Qeveria e Spanjës ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Bonell ka paraqitur kërkesën për qeverinë e Spanjës për ta njohur Kosovën si shtet, duke përmendur edhe vendimin e Madridit zyrtar për ta njohur Palestinën si shtet të pavarur.
“Refuzimi spanjoll për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë”.
“Në këtë kuptim, nuk është e pranueshme që shteti spanjoll të ketë të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, thuhet në propozimin e shkruar të “Junts”.