Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar fletarrestime për ish-ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe gjeneralin rus, Valery Gerasimov, si të dyshuar kryer krime gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Shoigu u largua nga posti i ministrit të Mbrojtjes muajin e kaluar dhe u emërua sekretar në Këshillin e Sigurisë së Rusisë.
Ky ishte ndryshimi më i madh që presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë në komandën ushtarake që kur ka nisur luftën kundër Ukrainës më 2022.
GJNP-ja, që ka selinë në Hagë, tha se Shoigu dhe Gerasimov dyshohen se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për shkak se kanë urdhëruar sulme ndaj civilëve dhe objekteve civile në Ukrainë.