Kryeministri shqiptar Edi Rama, e ka falënderuar Kombëtaren e Shqipërisë, pas ndeshjes me Spanjën edhe pse ajo nuk fitoi.
Ai tha se Kombëtarja ka luajtur futbollin më të mirë ndonjëherë në historinë e saj, raporton Klankosova.tv.
“Nga goli më i shpejtë i Europianëve deri në sekondën e fundit të këtij Europiani, Kombëtarja Kuqezi e kreu misionin e saj të pamundur duke luajtur futbollin më të mirë ndonjëherë në historinë e saj dhe me mbështetjen fantastike të dallgës kuqezi të Lojtarit të 12-të”, shkroi Rama në Facebook.
“Sot skuadra jonë e re dhe me një potencial shumë premtues largohet nga ky Europian me kokën lart, për t’u rikthyer në fushë më tej me një eksperiencë shumë të vyer, e cila i mungonte krejtësisht përballë tre nga fuqive më të mëdha të futbollit që u përballën me një Shqipëri të vogël, por me dinjitet të pamohueshëm nga askush”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.