Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se nesër në mbrëmje do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të ketë “bisedime të rëndësishme”.
Sa i përket dialogut me Kosovën, Vuçiq tha se nuk beson që “pala tjetër” do të krijojë Asociacionin.
Ai paralajmëroi takime me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Gert Jan Koppmann.
Ai theksoi se takimi me Koppmann është veçanërisht i rëndësishëm.
“Koppmann është një drejtor që është shumë i rëndësishëm për ne për axhendën e rritjes dhe për të gjitha këto reforma rreth tregut të përbashkët, vijave të gjelbra, korridoreve të gjelbra dhe gjithçka tjetër”, tha Vuçiq.
Sipas tij, ”Kosova mbetet sfidë e madhe e sigurisë, politike dhe njerëzore”.
“Ne do të sillemi në mënyrë konstruktive, do të mundohemi të bëjmë gjithçka që të zgjidhim problemet me dialog, t’i zgjidhim gjërat me dialog. Unë nuk besoj në vullnetin e palës tjetër për të marrë pjesë në krijimin e Asociacionit. Unë Kam frikë nga provokimet e tyre, por ne do të qëndrojmë të vendosur dhe seriozë”, tha Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen të mërkurën në Bruksel.