Një armë, pak fishekë, një shok pranë krahut. Në mes të vitit 1998, Bekim Shala qëndroi për gjysmë ore i pozicionuar pranë xhamisë në fshatin e tij të lindjes, Shalë e Lipjanit – pjesa qendrore e Kosovës.
Ai dhe shoku i tij i luftës prisnin që të përballeshin me forcat serbe. Edhe pse jo mjaftueshëm të armatosur, ata kishin dalë aty në mbrojtje të mijëra refugjatëve të strehuar në atë kohë në Shalë.
“Një ndjenjë e jashtëzakonshme kur ti e pret një armik. Nuk e di se a do të të dalë me autoblinda, tanke apo çfarë… Ndërsa, ti je vetëm me një pushkë dhe pak fishekë”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.
Pas një kohë pritjeje, ai u nis drejt Grykës së Shalës, u takua me një ushtar tjetër dhe u vendosën pranë vendit të njohur si Lugu i Unazës, bashkë me ushtarë të tjerë.
Kujton se nga rezistenca e ushtarëve në vijën e frontit, civilët e grumbulluar në Shalë atë ditë kishin shpëtuar.
Kjo nuk ishte hera e parë që Shala kishte marrë armë në duar, i gatshëm për të vdekur. Atëkohë vetëm 23-vjeçar, Shala tregon se si ishte detyruar ta mendonte vdekjen disa herë.
Por, ai thotë se, më shumë sesa jeta e tij, rëndësi për të kishin jetët e civilëve në fshat. Ndjenja e përgjegjësisë nuk e linte të flinte asnjë natë rehat, pasi që rrinte duke dëgjuar për ndonjë krismë, ndonjë të bërtitur, ndonjë zhurmë…
“Nuk ka person që është rehatuar ndonjë natë. Prej atëherë, nuk mendoj që ka ushtar të UÇK-së që bën gjumë të mirë për shkak të koncentrimit maksimal që duhej ta kishim gjatë luftës”, thotë Shala, mbi 25 vjet pas.
Shala kontribuoi në UÇK kryesisht në aspektin logjistik, si për rekrutim të ushtarëve të rinj. Pak ditë pas përfundimit të luftës, ai humbi njërën këmbë pasi ra në mina, teksa, bashkë me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, tentonin t’i izolonin disa zona.
“Pastaj, pjesa e pasluftës ka qenë më e vështirë, sidomos për ne që kemi humbur gjymtyrë. Është dashur të ringjallemi edhe një herë, t’i mbledhim forcat fizike e psikologjike për t’u ngritur edhe një herë në këmbë”, thotë ai.
Për Shalën, rimëkëmbja nuk vonoi. Ai nisi studimet për pedagogji në Fakultetin Filozofik menjëherë dhe në vitin 2001 u punësua si mësimdhënës i psikologjisë. Në këta libra, ai gjeti ndihmën që i duhej.
“Një këshillë psikologjike është sikur të ta japin një mal me para… shpesh mund të ta zgjidhë një problem”, thotë ai.
Por, për shokët e tij të luftës, Shala shpeshherë ka përjetuar zhgënjim kur i ka parë të rënduar emocionalisht, për shkak të problemeve për të gjetur strehim, para apo punë.
Vëllai i tij i vogël, i cili gjithashtu ishte pjesë e UÇK-së, u detyrua të emigronte, për shkak të kushteve jo të mira.
Shala thotë se ka veteranë që kanë kryer vetëvrasje, si pasojë e problemeve që u janë shfaqur pas luftës.
“Te ne, pas luftës, s’ka pasur as degë të psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, s’ka pasur person që të merrej me këta individë. Ndihma më e madhe ka qenë familja”, thotë Shala.
Që nga viti 2015, veteranët e luftës së viteve 1998/99 në Kosovë, që kanë qenë të papunësuar, marrin pension mujor prej 170 eurosh.
Sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, statusin e veteranit luftëtar e kanë mbi 53 mijë persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gati 37 mijë janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.
Por, atyre nuk u është ofruar ndonjë shërbim falas për trajtimin e traumave të përjetuara gjatë luftës.
As Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e as Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigjën interesimit të REL-it për këtë temë.
Themelimi i Qendrës së Stresit Posttraumatik për Veteranët e UÇK-së u parapa me Ligjin për Veteranët, të miratuar në vitin 2014. Por, edhe një dekadë më vonë, themelimi i kësaj qendre nuk u realizua.
“Sot e asaj dite ka mbetur vetëm në letër”, thotë Xhevdet Qeriqi, kryetar i degës së Fushë Kosovës të Shoqatës së Invalidëve të Luftës, për REL-in.
Ai thotë se, që nga paslufta, janë rreth 100 veteranë, të cilët kanë kryer vetëvrasje. Të dhëna lidhur me problemet psiko-sociale të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë, nuk ka.
Një nga studimet e pakta lidhur me këtë, i publikuar nga psikiatri Ramadan Halimi në vitin 2015, gjeti se 52.6 për qind e veteranëve të përfshirë në studim vuanin nga çrregullimi i stresit post-traumatik (ÇSPT).
Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, ÇSPT-ja është “një çrregullim psikiatrik që mund të shfaqet te njerëzit që kanë përjetuar një ngjarje traumatike” dhe që manifestohet me “mendime dhe ndjenja të forta e shqetësuese, që lidhen me përvojën e tyre dhe që zgjasin edhe pas përfundimit të ngjarjes traumatike”.
Në studimin e titulluar “Karakteristikat psiko-sociale të veteranëve të luftës së Kosovës”, Halimi vërejti edhe shkallë të lartë të rrezikut për vetëvrasje, të urrejtjes dhe të dëshirës për hakmarrje.
Tani, nëntë vjet pas publikimit të këtij hulumtimi, ai shpreh shqetësimin se kjo fushë mbetet ende e nënstudiuar në Kosovë.
“Nuk e dimë se sa është realisht i shprehur ky problem. E, kur nuk e dimë, atëherë e shohim vetëm majën e akullnajës. Mjafton një ekspozim ndaj një ngjarjeje si e Banjskës [v.j. sulm i armatosur në veri të Kosovës më 2023], apo një lufte në afërsi, që t’ua rikujtojë atyre traumën dhe të rishfaqen problemet”, thotë Halimi për REL-in.
Ai thotë se tani në Kosovë ka mjaftueshëm psikologë klinikë që do të mund t’i trajtonin veteranët që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
“Ne nuk kemi pasur ushtri të rregullt si në vendet e tjera në botë. Te ne s’ka pasur trajnim të duhur, furnizim të duhur, ushtarët s’kanë pasur ta mbrojnë vetëm veten ose shokun, por edhe popullatën e zhvendosur dhe familjen. Presioni psikologjik tek ata ka qenë më i madh sesa në ushtritë e tjera në botë”, shton ai.
E, përkundër që thotë se pritshmëritë që ushtarët e UÇK-së të përballen me probleme të shëndetit mendor kanë qenë të larta, për një kohë të gjatë ka qenë stigma ajo që i ka bërë të hezitojnë të marrin shërbime psikologjike.
“Është mentaliteti që nëse frikësohesh, nuk je burrë. ‘Po u frikësove, gjithë atë burrëri që e ke bërë, e ke vënë në pikëpyetje’. Kjo e ka zgjatur periudhën derisa është kërkuar ndihmë”, thotë Halimi.
Në mungesë të një shërbimi psikologjik të specializuar e falas për veteranët, ata shpeshherë kanë gjetur mbështetje te njëri tjetri, thotë ish-pjesëtari i UÇK-së, Shala.
“Aq të lidhur janë ushtarët, saqë nuk e ndiejnë as dallimin në moshë mes vete. Thjesht, ndihen krenarë që kanë kontribuar për vendin e tyre”, thotë ai.