Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, theksoi rëndësinë takimit të radhës mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, i planifikuar për më 26 qershor, duke kërkuar nga të dy liderët që të angazhohen në dialog konstruktiv.
Haliti shprehu shpresën se takimi nuk do të kalojë në konfrontime, por do të shërbejë si një platformë për mirëkuptim të ndërsjellë dhe zbatim të obligimeve të dakorduara.
“Është e domosdoshme që Kurti e Vuçiq të takohen, e të vazhdojnë bisedimet. Kurti ka qenë gjithnjë i angazhuar në dialog, përmes zëvendës kryeministrit, Besnik Bislimi. Është koha që të jetë kontribues i drejtëpërdrejtë, duke marrë parasyshë përgjegjësitë Kushtetuese, që si Kryeminister i ka dhe domosdoshmërinë e të kuptuarit që Kosova ka vetëm një rrugëtim dhe drejtim. Kushdo që përpiqet që ti shmanget të qenurit tërësisht në orientim e rrugëtim të kundërt nga SHBA e BE, është me dikënd tjetër por jo me popullin e Kosovës. Interesi nacional i yni është bashkërenditja e vendimeve sipas porosive të SHBA dhe BE! Besoj që ky takim nuk do jetë betejë përplasjesh me “mullijtë e erës” por do jetë takim që të dyja palët do ta kenë kuptuar që marrëveshjet janë obligim dhe duhet të zbatohen, jo për interesa elektorale por për interese të të dy vendeve tona”, përfundoi Haliti