Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, Veton Elshani, ka treguar se disa policë serbë që kanë dhënë dorëheqje kanë kërkuar të rikthehen në punë.
Ai ka bërë me dije se një gjë e tillë është e pamundur.
Sipas tij, secilit polic që i është lëshuar vendimi mbi dorëheqje, ai nuk mund të rikthehet në punë.
“Sidoqoftë policët të cilët kanë dhënë dorëheqje dhe i është lëshuar vendimi mbi dorëheqje, të gjithë ata nuk do të kthehen në detyrë. Ne kemi pasur disa policë të cilët kanë dhënë dorëheqje, kemi pasur rast kur kanë bërë kërkesë për kthim, ka pasur disa prej tyre që kanë bërë kërkesë por një nga ta është kthyer. Sepse nuk i është lëshuar vendimi për dorëheqjen. Në momentin kur lëshohet vendimi për dorëheqje, policë që kthehet në detyrë nuk ka. Kanë qenë mbi 500 policë (që i është lëshuar vendimi për dorëheqje), është lëshuar për të gjithë. Të gjithë ata që kanë ofruar dorëheqje, është një afat kohor i cili merret parasysh nga ana e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë dhe mandej lëshohen vendimet për dorëheqje. Për ata të cilët janë lëshuar vendimet për dorëheqje, që të gjithë janë të larguar dhe nuk kanë mundësi të kthehen”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se deri në çfarë kohe një polic mund të marrë pushim pa pagesë.
“Procedurat e policisë e lejojnë edhe mundësinë që të ketë një muaj pushim pa pagesë, dy muaj deri në tre muaj dhe këto periudha kohore mund të shfrytëzohen nga ana jonë, sidomos në veri të vendit në atë kohë, në fillim janë shfrytëzuar sepse tash jo, që policëve t’iu jepet shansa që të mos japin dorëheqje. Arsyeja pse ne kemi bërë tolerime për personale ka qenë presioni i madh i cili është bërë ndaj tyre dhe ne e dimë. Por, nuk ka polic i cili ka dhënë dorëheqje dhe se ka vendim të lëshuar për dorëheqje që pranon pagë”, është shprehur Elshani.
Ndër të tjera, ai ka deklaruar se Policia e Kosovës është e plotësuar numrin e policvëe serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje.
“Tani i kemi diku rreth 70, numri i përgjithshëm i policëve të rendit është rreth 320. Nuk kemi ndonjë problem, jemi duke e plotësuar numrin ashtu si duhet në mënyrë graduale, nuk kemi ndonjë problem për plotësimin e numrave”, është shprehur ai.