Gjykata Kushtetuese pritet të ketë punë edhe këtë verë me disa ligje që do të miratohen këtë sesion në Kuvendin e Kosovës. Kjo pasi Qeveria ka vendosur t`i injoroi komentet e BE-së, shoqërisë civile dhe opozitës për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Këto projektligje gjatë javës kanë marrë lejen e komisioneve përkatëse, duke u dërguar për shqyrtim në seancat e ardhshme.
Partitë opozitare kanë bërë me dije se pushteti nuk ka marrë parasysh as vërejtjet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për këto ligje, të cilat i kishte rrëzuar vitin e kaluar. Për këtë arsyeje, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë paralajmëruar dërgimin e këtyre ligjeve për shqyrtim në Kushtetuese për herë të dytë.
Deputetët e këtyre partive një gjë të tillë e kanë paralajmëruar edhe dje në Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ku është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Sipas tyre, përmes këtij ligji Qeveria po synon ta kap administratën publike.
Deputeti i PDK-së, Isak Shabani, ka thënë se opozitës nuk po i mbetet rrugë tjetër.
“Opinioni i SIGMA-së thekson se mandati me afat të caktuar nuk janë të zakonshme në administratat e vendeve anëtare të BE-së, dh në mënyrë artikulare ato nuk parashihen në nivelin e ulët dhe të mesëm drejtuese. Kjo reformë mund të dërgojë lehtësisht në politizimin e administratës publike deri në nivelin e udhëheqësve të njësive në nivelin e ulët drejtues. Përsëri do ta kontestojmë e do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Unë mendoj që ky ligj nëse miratohet kësi soji shkon drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.
Të njëjtën gjë e ka paralajmëruar edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu.
“Ne jemi këtu që të ju themi që nëse ky ligj aprovohet kështu në këtë formë e dëmton zyrtarin publik edhe është në kundërshtim me disa parime që janë të njohura me zyrtarë publikë. Janë disa dispozita që e politizojnë dhe do të jenë problematike, sikurse është vlerësimi atje. Sipas meje mbete problematike çështja e ushtruesve të detyrave edhe që rreziku që prapë ku ligj të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese. Sepse nuk po respektohet fillimi i mandatit ashtu siç është përcaktuar me ligj në rastet e udhëheqësve të niveleve të ndryshme nëse ata janë pa mandat, ligji ju jep të drejtën që në momentin që hynë në fuqi ky ligj ata ta fillojnë mandatin e rregullt. Mbeten çështje problematike që ky ligj të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Veliu.
Deputetët e opozitës të njëjtën gjë synojnë ta bëjnë edhe për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, që është mbajtur të enjten, ku është miratuar ky projektligj, deputetët e tri partive opozitare kanë thënë se projektligji në fjalë është anti-kushtetues.
Deputeti Selmanaj ka thënë se LDK-ja është e vendosur të mbrojë kushtetutshmërinë.
“Më mirë është ta ndalin këtë proces tash, përkundër që e keni miratuar si komision dhe ta ktheni edhe një herë te qeveria në mënyrë që propozimi tjera të vijnë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, por edhe me idenë që reforma në drejtësi të jetë vërtetë reformë dhe të mos deformohet sistemi. Po ju them që kjo çështje fatkeqësisht do të përfundojë përsëri në Gjykatë Kushtetuese. Sepse jemi të vendosur të mbrojmë kushtetutshmërinë në këtë vend”, është shprehur Selmanaj.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i bindur se projektligji në fjalë do të rrëzohet nga Kushtetuesja.
“Po mendoj se qasja është gabim, vendimmarrja është ka rrezikohet dhe unë ju tregoj epilogun. Si të shkon ky ligj në Gjykatë Kushtetuese bije, sepse nuk është trajtuar rekomandimi kryesor i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Tahiri.
Të njëjtën bindjen e ka shprehur edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj.
“Ky ligj si i tillë nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sepse ka dhjetëra elemente që e shkelin Kushtetutën”, ka thënë Beqaj.
Injorimi i komenteve të BE-së
Partia në pushtet në këto projektligje nuk i ka përfshirë vërejtjen e Bashkimit Evropian. Këta të fundit, përmes një letre dërguar tri komisioneve parlamentare, i kanë shprehur shqetësimet e tyre për përmbajtjen e dy projektligjeve.
Në letrën e siguruar nga gazeta Nacionale, e cila është publikuar dje, BE-ja ka vlerësuar se komentet e tyre nuk janë pasqyruar në amendamentet e propozuara.
“Sa i përket Draft-ligjit për amendamentimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, më lejoni që vetëm t’ju rikujtoj që Komisionet Parlamentare përkatëse tashmë kanë pranuar një Opinion Ligjor të Konsoliduar dhe një opinion të ndarë të shërbimeve të Komisionit të BE-së për Ligjin në fuqi për Zyrtarë Publikë. Ato dokumente gjithashtu e përbëjnë bërthamën e këshillës sonë në fushën përkatëse, prandaj respektimi i atyre komenteve nga Komisioni juaj do të ishte i mirëpritur”, është thënë në letrën e nënshkruar nga shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Thomas Szyunog, e cila i është dërguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, kryetares së Komisionit për Integrimeve Evropiane, Rezarta Krasniqi, kryetarit të Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Valon Ramadani, si dhe kryetarit të Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.
Në të njëjtën letër, e cila institucioneve në fjalë u është dërguar më 6 qershor, tregohen edhe shqetësimet për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Sa i përket Draft-ligjit për amendamentimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja është e shqetësuar se draft-amendamentet siç janë paraqitur në Raportin e Komisionit për Legjislacion mund të mos i plotësojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Do të doja ta ritheksoj rekomandimin tonë të fortë për ta rikonsultuar Komisionin e Venecias”, është thënë në letër.
Ndër të tjera, në letër specifikohet se asnjëra prej komisioneve nuk i kanë marrë parasysh rekomandimet e tyre për dy projektligjet.
“Pavarësisht nga këshillat dhe mbështetja e vazhdueshme që i janë ofruar qeverisë dhe komisioneve parlamentare përkatëse, Komisioni për Legjislacion dhe Komisioni për Administratë Publike dhe Media, në të dyja draft-ligjet, me keqardhje komentet e BE-së nuk janë pasqyruar në amendamentet e propozuara”, është thënë në letër, duke kërkuar që komisionet parlamentare të përmbahet nga avancimi i mëtejmë i amendamenteve të propozuara për këto dy draft-ligje derisa ato të jenë bërë sipas këshillave të BE-së dhe standardeve të kërkuara.
Në mars të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, kurse disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë i kishte rrezuar në gusht të vitit të kaluar.
Këto ligje në gjykatë kushtetuese i kishte dërguar PDK-ja dhe LDK-ja.