Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vazhduar “hobin” e tij të përfshirjes në politiken e vendeve të huaja. Në listën goxha të gjatë të përzierjes së Kurtit, tashmë i është shtuar edhe një emër i ri i një shtetit të vogël. Pas Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, ShBA-së, Zvicrës, Luginës së Preshevës në Serbi e të tjera, Kurti është përfshirë edhe në politikën e Malit të Zi.
Përmes një videoje, kryeministri Kurti ka folur për politikën në Mal të Zi. Më saktë, Kurti, duke folur në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, ka dërguar një mesazh mbështetës para nisjes së konferencës zgjedhore në Podgoricë, për Partinë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi, e cila është themeluar nga ish-presidenti malazias, Milo Gjukanoviq.
“Ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë atyre që besojnë se e ardhmja jonë e përbashkët është në BE, drejt së cilës ne ndërtojmë ura së bashku të bazuara në marrëdhënie të mira fqinjësore, mirëqenien e qytetarëve tanë, sigurinë e Aleancës Veri-Atlantike, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe luftën kundër nacionalizmit dhe shovinizmit ekstrem që tenton të na kthejë në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar” – ka thënë Kurti.