Gjashtë muaj deri në një vit, mbi 20 pozita brenda Trainkos-it kanë mbetur të mbuluara me Ushtrues Detyre. Të gjitha emërimet në këto pozita janë konstatuar të kundërligjshme nga Inspektorati i Punës. Të emëruar janë njerëz të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, përfshirë një militant të deklaruar haptas. Paparaci e ka siguruar raportin e Inspektoratit të Punës.
Pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit të ndërmarrjes publike “Trainkos”, Agron Statovci e mori me zhurmë për shkak të lidhjeve me pushtetin.
Me po të njëjtin avaz ka vazhduar edhe emërimet në pozita të larta të militantëve e funksionarëve të pushtetit, në atë ndërmarrje.
Në një vendim të Inspektoratit të Punës të cilin e ka siguruar Paparaci, shpalosen parregullësitë e shkeljet e vazhdueshme të Ligjit të Punës në vendimet e marra nga Statovci.
Bëhet fjalë për vendosjen e punonjësve në pozitën “ushtrues detyre (U.D.)” në kundërshtim me ligjin, konkurse për të cilat nuk janë prezantuar fare.
Në listën që posedon Paparaci, shihet edhe emri i Florim Gjyrevcit, ku me vendim të Statovcit, është liruar nga pozita “Mbikëqyrës i Lokomotivave” dhe është vendosur në “Ushtrues i detyrës në Shef në tërheqjen e trenave transport i mallrave”.
Florim Gjyrevci nuk është emër i panjohur në skemën politike. Ai është ish-kandidat i LVV-së për Asamble Komunale në Fushë Kosovë përgjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Ai i kishte dhënë edhe përkrahje publike Statovcit pas zërave kritik që kundërshtuan emërimin e tij si U.D. i kryeshefit në “Trainkos” për shkak të lidhjes me Vetëvendosjen e partinë Guxo.
Përveç në rastin e Gjyrevcit, shkeljet e Statovcit u konstatuan edhe në shumë pozita tjera. Në fakt, bëhet fjalë për një katrahurë të plotë brenda Trainkos-it.
“Inspektori i Punës pas shqyrtimit të dokumentacionit të prezantuar në Inspektoratin e Punës ka konstatuar se:
Punëdhënësi duke i vendosur punonjësit në pozitën U.D. në listën e prezantuar dhe vendimet e prezantuara në Inspektoratin e Punës, më shumë se 30 ditë, ka vepruar në kundërshtim me nenin 18 paragrafi 2 i Ligjit Nr. 03/L212, i Punës si dhe shkelje të nenit 30 të Rregullores së Marrëdhënies së Punës dhe Procedurës Disiplinore në Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A. e miratuar në dhjetor 2017.
Punëdhënësi ka nxjerr vendim nr. 233 i datës 16.06.2023, ka sistemuar Sabri Kelmendin në pozitën ushtrues detyre Depoist Doganor në Miradi nga pozita Ndërrues i Binarëve, ku në pikën IV të vendimit thuhet citojë “I sistemuari do të ushtrojë këtë detyrë deri në përfundim të procedurave të rekrutimit për plotësimin e pozitës “Depoist Doganor në Miradi” i cili do të bëhet përmes procedurave të hapura të konkurrimit”. Punëdhënësi për këtë pozitë nuk ka prezantuar konkurs.
Punëdhënësi ka vepruar ngjashëm si në rastin e cekur më lartë edhe në rastin e Florim Gjyrevcit ku e ka liruar nga pozita Mbikëqyrës i Lokomotivave në Ushtrues i detyrës në Shef në tërheqjen e trenave transport i mallrave”, thuhet në raportin zyrtar të Inspektoratit të Punës të përpiluar më 16 maj 2024.
Afërsinë Statovci-Gjyrevci e konfirmojnë edhe fotografitë e shpërndara nëpër rrjete sociale, ndërkaq përkundër shkeljeve të vazhdueshme të konstatuata nga Institucionet përkatese, Statovci vazhdon ta mbajë atë pozitë.