I riu që ishte cak i tentim vrasjes te rruga B në Prishtinë, më 17 shkurt të këtij viti, ku në veturë iu vendos një mjet shpërthyer ka kërkuar ndihmën e Policisë. Ardit Sekiraqa ka raportuar se është kërcënuar nga një person dhe motivi dyshohet se lidhet me rastin e shkurtit.
Siç merr vesh Sinjali, Sekiraqa e ka denoncuar rastin pas mesazheve të shumta që ka marrë në rrjete sociale, ku një person e ka paralajmëruar se do ta pësojë, me fjalët “N’Dragodan shpejt kam me t’çu”.
Sekiraqa, i cili është viktimë në këtë rast ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë, ku ka dëshmuar se dyshimet e tij janë se kanosja lidhet me rastin e tentim vrasjes ndaj tij.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe është arritur të zbulohet se kush është personi që fshihet mbrapa këtyre mesazheve.
Të njëjtat burime thonë se i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Ndryshe, i dyshuari Kushtrim Krasniqi, që kishte tentuar ta vras Sekiraqën është arrestuar në muajin prill, në Aeroportin e Prishtinës.