Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në në Hajvali të Prishtinës, ku për motive akoma të panjohura, është gjuajtur nga një veturë në lëvizje. Policia tashmë ka nisur hetimet, teksa akoma s’janë identifikuar të dyshuarit.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga një banor i asaj pjese, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Sipas informacioneve të para, pasi policia ka dalë në vendin e ngjarjes, janë gjetur rreth 15 gëzhoja të dy armëve të ndryshme, njëra prej të cilave dyshohet se është kallashnikov.
Ekzaminimet e nevojshme janë kryer nga zyrtarët policorë dhe më pas janë sekuestruar gëzhojat.
Lidhur me rastin është marrë deklarata e dëshmitarit që e denoncoi rastin, thonë të njëjtat burime.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të identifikuar personat e përfshira.