Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka folur për mediat para ndeshjes së nesërme kundër Kroacisë.
Shqipëria e zhvillon nesër ndeshjen e dytë në kuadër të fazës së grupeve të Kampionatit Evropian Euro 2024 kundër Kroacisë.
Sylvinho fillimisht tregoi se ka të gjithë lojtarët e gatshëm, pavarësisht spekulimeve se Jasir Asani mund të mungojë në përballjen e nesërme.
“Skuadra jonë është 100% e gatshme për nesër. Kemi stërvitje më vonë, por si qëndrojnë gjërat, skuadra është mirë”, tha Sylvinho.
Më tej, Sylvinho foli edhe për faktin nëse ndeshja e nesërme duhet të përfundojë vetëm me fitoren e Shqipërisë.
“Së pari duhet ta shohim këtë turne si një privilegj. Thënë kështu, duhet të shfrytëzojmë shanset tona, të bëjmë më të mirën. Është një grup i vështirë dhe tani përballemi me Kroacinë, një ekip cilësor”, tha Sylvinho.
Ndërkaq, i pyetur nëse do të ketë nesër ndryshime në formacionin e Shqipërisë, përgjigja e Sylvinhos la të nënkuptojë që do të ketë.
“Nuk e di ende. Duhet të përfundojmë seancën e fundit stërvitore sonte. Ne do të bëjmë një mbledhje të stafit dhe më pas do të vendosim. Ne jemi duke menduar për të. Por jam i lumtur që nuk kemi lëndime deri në këtë moment”, tha Sylvinho.
Ndeshja e nesërme mes Shqipërisë dhe Kroacisë zhvillohet në stadiumin “Volksparkstadion” të Hamburgut me fillim nga ora 15:00.