Qeveria e Kosovës pretendon se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë rreth 4 për qind, ndonëse pritjet e eksperteve të ekonomisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për këtë normë janë më të ulëta.
Megjithatë, njëjtë mendojnë edhe deputetet të opozitës, për dallim nga deputetë të pozitës, të cilët vlerësojnë se këtë vit do të ketë nivel rekord të shpenzimeve qeveritare. Sipas tyre, në këtë rritje pritet të ndikojnë shpenzimet e rritura qeveritare dhe remitencat
Derisa nga opozita, thonë se Qeveria është duke proklamuar me shifra.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati se me hapat që kanë ndërmarrë, rritja ekonomike do të tejkalojë pritjet.
“Me hapat që kemi ndërmarrë dhe me ata që po ndërmarrim në vazhdimësi rritja ekonomike do të mbështetet edhe më tej. Synimi ynë është çdoherë që ta tejkalojmë pritjen. Normalisht se gjatë dy viteve të fundit kemi pas probleme me inflacionin në nivel global”.
“Nuk ka qenë vetëm Republika e Kosovës apo veprimet e qeverisë, përkundrazi kemi qenë të përkushtuar që të zbusim efektet e inflacionit, por ja që në nivel global ka pas rritje të normës së inflacionit dhe kjo ka ndikuar që edhe rritja në vendin tonë të ngadalësohet nga tempo fillestar që kishim. Por, besoj tash me uljen e shkalles së inflacionit do të rikthehemi trendin e synuar të rritjes”, thotë Murati për KP.
Ndërkaq, nga opozita vlerësojnë se rritja ekonomike do të jetë rreth 3 për qind. Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala, thotë se rritja ekonomike nuk është siç proklamon qeveria, madje, sipas tij ka ndodhur e kundërta.
“Parimisht ne duhet t’i besojmë institucioneve tona, njëri nga institucionet të cilat realisht do duhej së paku t’i besojmë, edhe pse atje ka pasur ndërhyrje politike, është ASK, e mbështetur në të gjitha të dhënat edhe të këtij raporti, por edhe të raporteve tjera kredibile ndërkombëtare, shifrat ekonomike sillen rreth 3 për qind dhe jo siç proklamon qeveria. Në realitet, qeveria ka luajtur me numra, ka qenë e pasinqertë në raport me shifrat e rritjes ekonomike dhe indikatorë tjerë që e kanë favorizuar këtë.
Në këtë relacion, faktet tregojnë që rritja ekonomike nuk është siç thotë qeveria…Gjithë indikatorët ekonomik tregojnë se ka një rënie, dhe ka rritje fatkeqësisht të pjesës së asaj që disfavorizon rritjen ekonomike, siç është çështja e importeve nga jashtë, ka indikator që tregojnë edhe rënien e eksporteve…Të gjitha parashikimet tregojnë se shifrat do të sillen mes 2.8 deri në 3.1 të gjithë perimetrave në tërësi”, thotë Shala.
Ndërkaq, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në një raport të publikuar së fundi për Kosovën, thotë se rritja ekonomike për Kosovën në vitin 2024 pritet të jetë 3.8 për qind.