Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme.
Në bazë të një urdhëresë të gjykatës, Policia ka kryer dje bastisje në një shtëpi në fshatin Baran të Pejës, pas informacioneve që kishin mbledhur për armë ilegale.
Mësohet se gjatë kontrollit janë gjetur dy armë, si dhe rreth 20 fishekë, që janë sekuestruar si prova materiale.
Pas përfundimit të procedurave, një person është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“