Me rastin e shënimit të ditëlindjes së 81-të të profesorit dhe mendimtarit politik, Ukshin Hoti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në ngjarjen e organizuar në nderim dhe kujtim të jetës dhe veprës së profesorit të shquar, Ukshin Hoti, që u mbajt në hapësirat e Universitetit të Prizrenit që mban emrin e tij.
Kurti u prit nga rektori i Universiteti të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe familjarët e profesorit, Ukshin Hoti.
Në këtë datë të veçantë, të mendimtarit, politikanit, diplomatit, veprimtarit, pedagogut, e mbi të gjitha të intelektualit disident Ukshin Hoti, kryeministri Kurti, teksa lartësoi figurën e shquar të profesorit Hoti, u shpreh se ishte pikërisht ai që donte të kontribuonte te organi i mendimit shoqëror shqiptar duke e bërë politologjinë të fliste shqip.
Ndër të tjera, kryeministri foli edhe për shtegun e mendimit për liri, pasi që siç e tha ai para se të kishim Shteg të Lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishim shteg të mendimit për liri.
Teksa ndodhej në mesin e një numri të madh të pjesëmarrësve, kryeministri Kurti në fjalën e tij për Ukshin Hotin, tha se ai kishte arritur që formimin e tij intelektual dhe profesional t’i arrinte në moshë shumë të re, duke shtuar se përkundër angazhimeve zyrtare, ai asnjëherë nuk reshti së qenuri studiues.
“Pikërisht si kryediplomat i Kosovës shkruan edhe librin e parë të tij mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të titulluar “Lufta e Ftohtë dhe Detanti” në vitin 1976”, veçoi kryeministri. Ai e jetonte atë që e studionte dhe e studionte atë që e jetonte”, tha më tej kryeministri Kurti.
Në ditëlindjen e 81-të të profesorit Hoti, kryeministri ftoi që të rikthemi te vepra e tij por edhe te shembulli që na ofron jeta e Ukshin Hotit.
“Le ta bëjmë këtë gjithnjë në frymën kritike që e mishëronte më së miri vetë ai. Kritika shoqërore e informuar nga një respekt i paepur për të vërtetën na duhet sot po aq sa edhe në kohën kur jetonte e vepronte Hoti. Sot kemi dy organe të mendimit shoqëror shqiptar, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Le të punojmë fort e bashkë që këto dy organe të bashkërendohen me njëri-tjetrin në interes të vullnetit, të drejtave e nevojave të kombit shqiptar”, tha në fund të fjalës së tij kryeministri Kurti.
Në oborrin e Universitetit të Prizrenit u shfaq gjithashtu ekspozita “Bëje ose Vdis” me fotografi nga jeta dhe vepra e Ukshin Hotit, letra të tij nga burgu, dorëshkrime të ndryshme dhe artikujt të shtypit. /Klankosova.tv