Opozita nuk beson që përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Josep Borrell, do të rekomandojë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat janë vendosur në qershor të vitit të kaluar.
Deputetët e PDK-së dhe LDK-së kanë bërë me dije se nuk presin lajme pozitive nga takimi i Komitetit për Politikë dhe Siguri të BE-së, i cili pritet të mbahet javën e ardhme dhe ku prite që kryediplmati evropiant ta prezantojë raportin e tij, raporton Nacionale.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka bërë me dije se për heqjen e këtyre masave duhet një konsensus i plotë i vendeve anëtare të BE-së.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se deri me tani vendete BE-së nuk kanë dhënë indikacione për heqjen e masave në fjalë.
“Që të largohen masat e BE-së ndaj Kosovës duhet konsensus i plotë, që domethënë, duhet të votojnë edhe vendet jo njohëse ndaj Republikës së Kosovës. Në fazën në të cilën jemi, bashkëpunimin që e kemi si shtet me aleatët, prononcimet e tyre publike nuk ka indikacione që do të merret ndonjë vendim pozitiv së shpejti. Po ashtu, janë kushtet e caktuara nga BE-ja drejt Qeverisë së Kosovës që duhet qeveria të i plotësoj në mënyrë që masat të largohen. Kushtet janë direkt të lidhura me situatën në veri të Mitrovicës”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Largimin e sanksioneve nuk e pret as Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.
Gjatë mbledhjes se djeshme të komisionit, ajo ka thënë se ka informacione se në raportin e Josep Borrelit nuk rekomandohet heqja e masave ndëshkuese.
Në këtë mbledhje, ajo ka kërkua nga zëvendëskryeministri për Integrimeve Evropiane, Besnik Bislimi, të tregon për projektet e pezulluara për shkak të këtyre masave.
“Cilat projekte janë pezulluar? Deri më tash nuk kemi marrë përgjigje. Me na numëru shumën e projekteve që janë pezulluar si shkak i masave të BE-së. Tani çfarë po ndodh sepse nuk kemi as një informacion”, është shprehur ajo.
As ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, nuk pret lajme pozitive nga Brukseli.
Ajo nuk beson që në këtë kohë BE-ja të merret me Kosovën.
“Nuk besoj në këtë momentum siç është rezultati i zgjedhjeve në BE që shefat e shteteve anëtare do të merren me çështjen e Kosovës, duke marr parasysh që ka ndoshta tema shumë më të nxehta, siç është lufta në Ukrainë apo kriza në Lindjen e Mesme, të cilat e mbulojnë agjendën e tyre”, ka deklaruar Ahmetaj në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Ajo ka vlerësuar se proceduar e heqjes se këtyre masave është e komplikuar.
“Shikojeni në çfarë regresi jemi kthyer në këto katër vjet të kësaj qeverie. Për heqje të masave, ashtu siç ka qenë për vendosje të tyre, kërkohet unanimitet në mes të shteteve anëtare, dhe ky është tregues real për ta ditur në të vërtetë ku jemi ne” është shprehur ajo.
Por, ndryshe mendon Qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është shprehur optimist për këtë çështje.
Gjatë raportimit në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Integrimeve Evropiane, Bislimi beson se do të ketë një përgjigje pozitive për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
“Raporti i z.Borrell është parakusht për trajtimin në KiE, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave… Masat kanë ekspozuar njëanshmërinë e vet në gjithë këtë proces”, shtoi ai, duke theksuar se “ka pasur tendencë që masat të keqpërdoren.”, ka thënë Bislimi.
Kosova është vendosur nën sanksione të BE-së në qershor të vitit të kaluar. Kjo pasi Kosova kishte ndërmarr disa veprime të njëanshme në veri të vendit, të cilat ishin kritikuar nga BE-ja dhe ShBA-ja. Pavarësisht thirrjeve të shumta të liderëve institucionalë për largimin e këtyre masave, ato vazhdojnë të jenë në fuqi për gati një vit.