Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët tjerë të familje.
Së fundi Policia ka intervenuar edhe në një familje në fshatin Stanofc i Poshtëm në Vushtrri, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar bashkëshorten e tij.
Burimet kanë bërë me dije se 30-vjeçarja ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje me burrin e saj, i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, si dhe e ka sharë e ofenduar.
Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari edhe ka tentuar që ta dëbojë nga shtëpia gruan.
Si rezultat i denoncimit të rastit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa viktima ka marrë trajtim mjekësor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti ‘Dhunë në familje’ dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje.