Boston Celtics është duke udhëhequr serinë e finaleve ndaj Dallas Mavericks, me rezultat 2-0.
Celtics duket se në rrugën drejt triumfit po ndihmohet nga një filozofi e njohur në Evropë, ajo e Pep Guardiolës.
Duket e pamundur duke pasur parasysh dallimin në botë mes trajnerit katalanas dhe Celtics, por në Boston, thonë ata, po ndërtojnë një kulturë ekipi të ngjashme me atë të Manchester Cityt të Guardiolës.
Skuadra që fitoi tripletën në sezonin e kaluar dhe këtë kampanjë fitoi një tjetër Premier League.
“Unë shikoj metodat e tyre të krijimit të ekipit, i analizojmë dhe i zbatojmë me ekipin”, tha trajneri i Celtics, Joe Mazzulla.
Mazzulla ka një marrëdhënie të ngushtë me Guardiolën.
Ai ka mësuar nga trajneri i Cityt dhe Pep ka vizituar ndeshjen e parë të finales në Garden.
“Ne shikojmë proceset e tyre. Ne shikojmë se si ata i menaxhojnë lojërat e tyre, të këqijat e tyre”, tha trajneri i Bostonit.
Është e vështirë të krahasosh skuadrat, por Celtics kanë ndërtuar një makinë të përsosur.
Në sulm, ata janë një nga më të mirët në NBA dhe dinë t’i zgjidhin problemet e tyre.
Pavarësisht se filluan pa shënuar një trepikësh në ndeshjen 2, ata ishin në gjendje të riktheheshin.
“Unë kam një rregull: nëse ata [Manchester City] fitojnë, ne fitojmë”, shtoi Mazzulla.
“Përpiqem të mësoj nga sjellja e tyre, përulësia, gëzimi, pasioni dhe etika e punës. Është një proces i vazhdueshëm mësimi”, thotë ai.