Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, beson se ekonomia e vendit këtë vit do të ketë rritje rreth 4 për qind. Në anën tjetër, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar rritje prej 3.8 për qind. Por sipas njohësve të fushës së ekonomisë, cilado qoftë përqindja e rritjes ekonomike, prapëseprapë nuk është e mjaftueshme dhe nuk duhet të gëzohemi.
Kryeministri, Albin Kurti gjatë një deklarimi të fundit për mediat ka thënë se beson që rritja ekonomike këtë vit do të jetë “rreth 4 për qind”.
“Besoj se rritjen ekonomike e kemi rreth 4 përqind këtë vit. Rritja ekonomike në këto tri vite që lamë pas ka qenë mesatarisht rreth 6,2 përqind e bruto produktit vendor dhe Kosova me këtë ritëm përgjatë kësaj dekade besoj se do të bëhet një shtet i dëshiruar, jo vetëm për mërgatën tonë, por edhe të huajt.” – ka thënë ai.
Mirëpo, këto janë veç ajo çka Kurti beson, pasi që sipas Fondit Monetar Ndërkombëtare, parashikimet për rritje ekonomike janë 3.8 për qind.
Fondi Montar Ndërkombëtar në një raport të publikuar së fundi për Kosovën, thotë se ekonomia e vendit vazhdon të zgjerohet, megjithatë, momentum i rritjes është ngadalësuar.
FMN-ja ka përmednur ikjen e qytetarëve nga vendi, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian e tensionet në veri.
“Ekonomia e Kosovës vazhdon të zgjerohet, por momenti i rritjes është ngadalësuar. Përhapjet negative nga rritja e ulët në partnerët kryesorë tregtarë dhe vendet ku është e përqendruar diaspora kosovare (p.sh. Gjermania, Zvicra), po rëndojnë aktivitetin. Shtrëngimi i politikës monetare në eurozonë është transmetuar gradualisht në norma më të larta interesi në ekonominë plotësisht të ‘euroizuar’ të Kosovës. Çmimet më të ulëta të energjisë dhe ushqimeve kanë përmirësuar kushtet e tregtisë dhe kanë ndihmuar në uljen e inflacionit.” – thuhet ndër të tjera.
Ndërkohë, Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ka thënë se me këtë përqindje askush nuk duhet të jetë i lumtur.
I pari i OEAK-ut për EO, ka thënë se raportet ndërkombëtare tregojnë që Kosova me këtë normë ekomomike duhen dekada që të zë hapin me shtetet tjera të BE-së.
“Jo ma larg se gjatë kësaj jave, Fondi Monetar Ndërkombëtar dha parashikimin e saj më të azhornuar për sa i përket normës së rritjes ekonomike të Kosovës edhe kjo norma thotë që rritja ekonomike përgjatë viti 2024 do të jetë 3.8 për qind, realisht parashihet që të jetë 3.8 për qind. Në një situatë të tillë realisht as njëri prej nesh, e aq më pakë drejtuesit e institucioneve nuk do të duhej të ishin të lumtur, ose të kënaqur me këtë norme të rritjes ekonomike për aq kohë sa raporte e tjera, të organizata prestigjioze ndërkombëtare thonë që realisht me këtë rritje ekonomike që Kosova ka aktualisht dhe ka pasur për gjatë viteve të shkuara do të na duhen dekada që të zam hapin me shtet e tjera aspiruese, shtet anëtare të BE.” – ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se institucionet shtetërore po bëjnë pak për promovimin ekonomik të vendit, me theks për investimet e huaja dhe strukturën e investimeve të huaja direkte.
“Po behet pak në aspektin e promovimit të potencialeve ekonomike të vendit për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, po behet pak për ndryshimin e strukturës se investimeve te huaja direkte. Vazhdojmë të karakterizohemi me një strukturë në të cilin dominojnë investimet në sektorin e patundshmërisë edhe realisht kjo është ajo çka ne i referohemi si investime në asete jo produktive. Rrjedhimisht vendi duhet të ndryshoj qasjen e saj karshi investitorëve të huaj edhe të adresoj ato që duket që janë barriera kryesore që pengojnë investitorët e huaj të vijë në vend.” – ka thënë ndër të tjera ai.