Aktivistët pro-palestinezëve kërkuan gjatë fundjavës dhënien fund të luftës në Rripin e Gazës dhe të mbështetjes amerikane për Izraelin. Ata qarkuan Shtëpinë e Bardhë të shtunën, në protesta për të cilat u shtuan masat e sigurisë, që përfshinë ndër të tjera edhe ngritjen e një rrethimi më të gjerë sigurie përreth Shtëpisë së Bardhë.
Grupet e aktivistëve, si CODEPINK dhe Këshilli për Marrëdhëniet Islamike Amerikane thanë të premten se protestat u planifikuan për të shtunën, për të shënuar tetë muaj nga fillimi i luftës së Gazë, gjatë së cilës janë vrarë dhjetëra mijëra persona dhe është shkaktuar një krizë humanitare me uri dhe shkatërrim të gjerë.
Ndaj Izraelit, një vend aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara, ka patur muaj të tërë protestash pro-palestinezëve, që nga marshime në Uashington, grumbullime pranë Shtëpisë së Bardhë dhe deri me bllokimin e urave dhe rrugëve pranë stacioneve të trenave dhe aeroporteve në disa qytete, si dhe ngritjen e tendave në disa kampuse universitare.
Të paktën tetë zyrtarë të administratës së presidentit Biden kanë dhënë dorëheqjen, duke përmendur si shkak kundërshtitë ndaj politikave të tij.
Protestuesit kanë ndërhyrë gjithashtu në disa prej aktiviteteve elektorale të presidentit Biden, i cili aktualisht gjendet në Francë në një vizitë zyrtare.
“Në përgatitje për aktivitetet e kësaj fundjave në Uashington, të cilat kanë potencialin për krijimin e turmave të mëdha, masa të mëtejshme për sigurinë publike janë marrë përreth kompleksit të Shtëpisë së Bardhë”, njoftoi një zëdhënës i Shërbimit Sekret amerikan.
Presidenti Biden dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë më herët se mbështesin protestat paqësore, por jo “kaosin” dhe dhunën.
Në protestat në universitete ka patur në disa raste edhe dhunë, kur policia ka ndërhyrë për të arrestuar protestuesit që kishin ngritur tenda në kampuse.
Aktivistët kundër luftës në Universitetin e Kalifornisë, në Los Anxhelos, u sulmuan dhunshëm nga një turmë një javë më parë.
Ka patur edhe shqetësime për një rritje të antisemitizmit dhe islamofobisë, ndërsa vazhdon konflikti.
Lufta filloi kur grupi militant islamik palestinez Hamas sulmoi Izraelin në 7 tetor, duke vrarë 1,200 persona dhe duke marrë 250 të tjerë peng, sipas të dhënave të autoriteteve izraelite.
Sulmet izraelite që pasuan në Gazë kanë vrarë mbi 36 mijë persona, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që drejtohet nga Hamasi, si dhe kanë zhvendosur të gjithë popullsinë prej 2.3 milionë banorësh. Kjo ka sjellë edhe akuza për gjenocid, të cilat Izraeli i mohon. Përpjekjet e rigjallëruara për një armëpushim dukej se nuk kishin ndonjë përparim deri të premten.