Ditën e sotme në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë”, ngjarje që lobon për të drejta të komunitetit LBGT.
Në këtë marshim morën pjesë dhjetëra qytetarë, pjesëtarë dhe përkrahës të këtij komuniteti, kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, ministri Arben Vitia, ministrja Albulena Haxhiu, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Kurti deklaroi se paradë kundërshton stigmatizimin.
“Nëse besojmë në të drejtat e njeriut, atëherë duhet të flakim tutje paragjykimet. Disa njerëz janë më ndryshe, disa njerëz janë shumë më ndryshe, por që të gjithë jemi njerëz dhe duhet të jemi të barabartë. Pikërisht barazia na e mundëson bashkimin, e pamundëson përjashtimin dhe e garanton këtë të drejtë. Andaj, mora pjesë në këtë paradë sepse shteti ynë i pavarur është republikë demokratike që nuk e përjashton asnjë njeri dhe garanton barazi për të gjithë”, tha Albin Kurti.