Këtë javë në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” u diskutua për udhëtimet e presidentit Ibrahim Rugova në Shqipëri, me përgjegjësin për siguri të Rugovës në Shqipëri gjatë viteve 1992-1998, Ermir Hizmon, si dhe me oficerin e gardës së Republikës së Shqipërisë gjatë viteve 1991-1999, Flamur Jata.
Ky i fundit ishte prezent në takimin e shumëpërfolur të Rugovës me gazetarë e politikanë në aeroportin e Rinasit, takim ky që bëri bujë mediatike pas publikimit të pamjeve brenda tij disa vite më vonë nga Adnan Merovci po ashtu prezent, ku u vërtetua se në këtë takim ishte edhe Adem Jashari.
“Në fillim vitet 1990, legjendari Adem Jashari ndodhej në Tiranë dhe kishte kontakte të vazhdueshme me zyrën e Kosovës në Tiranë. Është folur shumë në lidhje më këtë fotografi, fillimisht është thënë se është fotomontazh, pastaj se Ademi ka qëlluar aty rastësisht, se nuk është takuar fare me Rugovën, etj. por për hirë të së vërtetës, rëndësisë dhe peshës që ka dua qartë ta shpjegoj zanafillën e kësaj fotografie”.
“Dua të sqaroj se jo çdokush në rrethana të tilla në një aktivitet publik mund të ishte afër meje, pra Ademi aty nuk ndodhej rastësisht, por erdhi qëllimisht duke u bazuar në ftesën time dhe gatishmërinë e tij për të ardhë nga zyra e Kosovës në Tiranë deri në aeroportin e Rinasit. Kontakti është realizuar përmes Skënder Zogajt dhe Mehmet Krajës”, u shpreh Merovci.
Ndërsa, përgjegjësi për siguri të Rugovës në Shqipëri asaj kohe, Ermir Hizmo tha në “FAKTE me Adnan Merovcin se “kemi dëgjuar se Adem Jashari kishte ardhur, por nuk kishim informacion se ishte i një grupi luftarak që stërvitej, ose një gjë tjetër”.
Teksa, i pyetur se a u takua ndonjëherë me të, Hizmo tha se, “kam qenë prezent momentin që ka ardhur në vilë dhee ka përcjell presidentin Rugova në aeroport të Rinasit”.
Teksa, për këtë konferencë shtypi ku u shkrep edhe kjo fotografi ikonike, tregoi detaje edhe oficeri i Gardës së Republikës së Shqipërisë gjatë asaj kohe, Flamur Jata.