Opinioni kosovar sot është tronditur nga lajmin për arrestimin e dy shqiptarëve të Kosovës të dyshuar për spiunazh.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë me dije se të dyshuarit janë arrestuar pas zhvillimit të hetimeve disa mujore.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk ka dhënë detaje tjera, por media kanë raportuar se të dyshuarit kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).
Mediat kanë treguar se të dyshuarit janë Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.
Duke u thirrur në burime brenda Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Gazeta Express ka raportuar se të dyshuarit kanë tentuar ta diskreditojnë luftën e UÇK-së.
Madje, sipas medias në fjalë, Shabani ka tentuar ndryshimin e të vërtetës edhe për Masakrën e Reçakut, duke provuar shtrembërimin e së vërtetës.
Këtë gjë ata kanë tentuar ta bëjnë në mënyra të ndryshme.
Sipas burimeve të “Express” të dyshuarit të njëjtin kontakt në shërbimin sekret të Serbisë, por nuk kanë funksionuar si një grup.
Media në fjalë, ka bërë me dije se epror i tyre ka qenë oficeri i BIA-s serbe, Sergjan Rosiç, i cili kishte lindur në Ferizaj.
Pas arrestimit të personave në fjalë, ka reaguar edhe BIA, e cila ka mohuar lidhjen me dy të dyshuarit.
“Agjencioni për Siguri dhe Informacion fuqishëm mohon të gjitha lajmet e rreme…që dy personat me inicialet B.S dhe M.Ç të arrestuar sot në Ferizaj të akuzuar për spiunazh me BIA-n”, ka shkruar shërbimi sekret serb.