Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se kështu po cenohet siguria. Viktima të këtyre rasteve shumë shpesh janë edhe të miturat, të cilat përballen me ngacmues.
Një rast i tillë është denoncuar të ketë ndodhur në Gjakovë, ku një 17-vjeçare dyshohet se është ngacmuar nga një burrë.
I dyshuari tashmë ndodhet tashmë në ndalim policor.
Nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se i dyshuari në vazhdimësi e kishte përcjellë, duke e ngacmuar, çka i ka shkaktuar shqetësim e frikë.
I dyshuari S.Gj., 24-vjeçar është arrestuar si rezultat i raportimit të rastit dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas mbledhjes së informacioneve dhe dëshmive të të dy palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Ngacmim’.