Si rezultat i këtyre rasteve, Bërbatovci tha se i kanë këshilluar prindërit që të shtojnë kujdesin ndaj fëmijëve të tyre.
Ai e ka mohuar se kanë pranuar raste të tjera në Qendrën për Punë Sociale në Lipjan të nxënësve që e kanë lënduar veten.
Si u identifikuan nxënësit e shkollës “17 Shkurti” në Lipjan se e kanë lënduar veten me mjete të mprehta?
Drejtori i shkollës “17 Shkurti” në Gllogovc të Lipjanit, Mehmet Rashiti, ka shpjeguar se tre nxënësit dyshohet se e kanë lënduar vetën para datës 20.05.2024.
“Na u ka lajmëru rasti i parë më 20.05.2024, po rastet kishin ndodhë prej 14 (maj) e mbrapa, me 17.05.2024 dy raste, me 14.05.2024 një rast”, ka thënë Rashiti.
Ai është informuar nga të miturit se të njëjtit e kanë lënduar veten, në prani të prindërve dhe të psikologes së shkollës. Nxënësit ishin trajtuar nga psikologia e shkollës në fillim. Rashiti më pas tha se ka mbajtur një mbledhje me prindërit dhe më pas e kanë lajmëruar Policinë për këto raste.
“Fillimisht i kam trajtu me psikologen e shkollës, kemi bisedu me prindërit, kemi thirrë mbledhje të prindërve, e kam lajmëru Policinë, kanë shku për Qendër për Punë Sociale edhe me një shkresë është informu edhe Drejtoria Komunale e Arsimit”, tha Rashiti.
Sipas tij, të tre nxënësit e kanë lënduar vetën në pjesën e poshtme të krahut të majtë.
“Një lloj rrjetizimi me prerje, me mjete të mprehta, në dorën e majtë në të tri rastet, kur po them dora, pjesa e poshtme e krahut është, nuk ka të bëjë me shuplakën e dorës”, ka treguar Rashiti.
Ai tha se besoj që të njëjtit janë nxitur nga një video (lojë) në “TikTok” mirëpo dy nxënës e kanë mohuar se kjo ishte arsyeja.
“Si shkollë po besojmë që ka rrjedhë prej internetit, prej një aplikacioni në internet – Tiktok-ut, po një fëmijë e ka pranu këtë dhe dy të tjerët të klasës shtatë nuk e kanë pranu se është lojë e Tiktok-ut, po si hajgare, si diçka e tillë, ata dy fëmijët kanë dhënë lloj-lloj versioni qoftë psikologes, qoftë drejtorisë së shkollës edhe nuk e di se çfarë versioni kanë dhënë në Qendër për Punë Sociale”, ka shtuar Rashiti.
Duke u bazuar në deklaratën e njërës nxënëse që dyshohet se e ka lënduar veten, Rashiti tha se lëndimet nuk janë bërë në objekt të shkollës.
“(Lëndimin) e kam bërë në shtëpi”, ka thënë në deklaratë nxënësja, sipas Rashitit.
Ai tha se nuk ka informata nëse nxënësit kanë publikuar video në “TikTok” teksa e lëndojnë vetën e tyre.
Prej tre nxënësve të shkollës “17 Shkurti” në Lipjan që dyshohet se kanë lënduar veten, Rashiti tha se një prej tyre psikologia e shkollës e ka referuar të trajtohet nga një psikolog klinik.
“Fillimisht njërin prej rasteve psikologia e ka referu, prindit i ka thënë me trajtu me psikologe klinike, po çfarë, qysh, tek në ndërkohë ka ndodhë, shkolla nuk ka kësi raporte prej prindërve, as prej çfarë ka ndodhë ose çfarë ka referu Qendra për Punë Sociale, nuk na ka kthy asnjë informacion mbrapa”, ka thënë ai.
Rashiti ka treguar se nxënësit janë duke vazhduar mësimin, pasi sipas tij, shenjat e lëndimit të tyre nuk dihen.
“Fëmija janë në shkollë, se shumicën e rasteve nuk dihen as shenjat, se kanë ndodhë kogja moti, janë mbulu gati shenjat” – tha ai.
Drejtori Rashiti ka thënë se mësimdhënësit nuk janë të trajnuar se si t’i trajtojnë dhe të sillen me raste të tilla.
Në të njëjtën ditë që i kanë identifikuar nxënësit, Rashiti tha se ka mbajtur edhe një mbledhje me të gjithë prindërit, të cilëve u është kërkuar t’i kontrollojnë telefonët e fëmijëve të tyre.
“Mbledhje jo veç me arsimtarë, po kam mbajtë mbledhje të përgjithshme me të gjithë prindërit, ka qenë në të njëjtën ditë në mbrëmje, i kemi taku të gjithë prindërit edhe ua kam tërheqë vërejtja për mundësi të tilla edhe me i kontrollu telefonat e fëmijëve në baza ditore ose në bazë të vazhdueshme”, tha ai.
Mirëpo, sipas Rashitit, në shkollën e tyre nxënësve nuk u lejohet t’i përdorin telefonët.
“I kontrollojmë (nxënësit) edhe është për çudi se te na në shkollë telefonat depërtojnë shumë vështirë, jashtëzakonisht vështirë depërtojnë se nuk iu lojmë telefona në shkollë”
“Është praktikë që nxënësit mos ta përdorin telefon, përveç rasteve kur ka aktivitete jashtëkurrikulare”, ka thënë ai.
17 raste të raportuara në Fushë Kosovë
Përveç rastit në Lipjan, më 30.05.2024, janë raportuar mbi 17 raste të nxënëseve të shkollave fillore të mesme të ulët “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë që i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitur nga një video (lojë) në ‘Tiktok’.
Sipas drejtorit të Arsimit të Komunës së Fushë Kosovës, Fatlum Berisha, ata kanë identifikuar 17 raste të nxënëseve që i kanë shkaktuar këto plagë vetes pasi janë nxitur nga një video (lojë) që ka qarkulluar në “TikTok”, e ku shihen pamje të gërvishtjes së duarve.
“Jemi të njoftuar dhe të gjitha informatat po i trajtojmë në koordinim me institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës më 30.05.2024.
Fatlum Berisha, drejtor i Arsimit në Fushë-Kosovë, më 30.05.2024, ka thënë se fillimisht më 29.05.2024 janë identifikuar gjashtë raste të nxënëseve të shkollës “Mihal Grameno” që i kanë gërvishtur duart e tyre.
Sipas Berishës, drejtori i shkollës “Mihal Grameno”, më 29.05.2024, e ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila e ka njoftuar më pas Qendrën për Punë Sociale dhe janë ftuar prindërit për intervistimin e nxënëseve në prani të tyre.
Ndërsa rastet e tjera janë zbuluar më 30.05.2024, pasi Berisha u kishte rekomanduar të gjitha shkollave në Fushë-Kosovë që t’i kontrollojnë nxënësit.
Si rezultat i kësaj kontrolle në shkollat e Fushë Kosovës, Berisha thotë se janë zbuluar edhe gjashtë raste në shkollën “Daut Bogujevci” dhe të tjera në shkollën “Mihal Grameno”. Sipas tij, gjithsej 17 raste.
“Dje [29.05.2024] janë identifiku në shkollën “Mihal Grameno” gjashtë raste, ndërsa sot janë identifiku edhe shtatë, sepse në momentin që unë kam marrë informacion dje, unë kam dalë në terren menjëherë dhe sot në mëngjes unë kam rekomandu të gjitha shkollat në komunën e Fushë Kosovës – asnjë fëmijë të mos ta pranojnë në shkollë për pa e kontrollu dhe si rezultat i kontrollës që ka ndodhë sot, prej djeshit janë kanë vetëm gjashtë raste, sot i kemi identifiku 17 raste në përgjithësi”, ka deklaruar Berisha, më 30.05.2024.
Berisha tha se kanë përdorur një praktikë që të mos shkaktojnë panik te nxënësit, duke u thënë atyre se do t’iu kontrollojmë për të parë gjëndjen tuaj higjienike si e keni.
Ai ka shpjeguar se nxënëset këto gërvishtje i kanë në pjesë të duarve, shuplakës së duarve. Sipas Berishës, nxënëset kanë deklaruar se i kanë bërë lëndimet në duar me vetëdije si rezultat i një loje në “TikTok”.
“Gërvishtje të pjesëve të duarve, te pjesa e brendshme e duarve dhe shuplaka në pjesën e sipërme, në momentin që e kanë parë që janë këto gërvishtje të theksume, e kanë njoftuar stacionin policor, gjithashtu Qendrën për Punë Sociale dhe në prani të Qendrës për Punë Sociale dhe Policisë, gjithashtu edhe të prindërve fëmija e kanë pranu që këtë e kanë bërë me vetëdije si rezultat i një loje në “TikTok” që është duke qarkullu”, tha Berisha.
Berisha ka shpjeguar edhe lojën që pretendohet se po qarkullon në “TikTok” dhe në të cilën janë bazuar nxënëset për ta lënduar veten, sipas tij, me idenë që ta ndiejnë dhimbjen duke e nxjerrë atë në sipërfaqe, pra duke i shkaktuar plagë vetes.
“Sipas tyre, janë të shtyrë prej shoqja-shoqes d.m.th., ajo (loja) ekziston, nuk ka lojë që faktikisht e krijojnë këta, po ekziston përmes videove edhe thuhet që dhimbjen që e ke përbrenda nëse e gërvisht veten, dhimta del në sipërfaqe do të thotë janë si ide e këtyre, ne po e dimë që nuk janë të bazuara po ideja është që vjen sipas tyre, për nxjerrjen e dhimtes së brendisë në sipërfaqe” – ka shtuar Berisha.
Drejtori Berisha theksoi se këto raste të lëndimit të vetvetes nga nxënëset nuk kanë ndodhur në objektet shkollore.
Sabri Xhigoli, drejtor në shkollën “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë, ka thënë se në shkollën e tyre janë identifikuar gjashtë raste, prej tyre një nuk është cilësuar nga Policia se ka të bëjë me këto raste, pasi ishte vizatim i nxënëses në dorë.
Drejtoritë e arsimit në Ferizaj, Prishtinë, Vushtrri, Podujevë, Rahovec e Deçan. Të njëjtit kanë konfirmuar se nuk kanë evidentuar raste të tilla.
Ende nuk ka ndonjë reagim publik nga Ministria e Arsimit në lidhje me këto raste.