Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
Bëhet e ditur se ky takim u zhvillua në prag dhe të vizitës zyrtare të kryeministrit Kurti në Ankara dhe Stamboll ditët e ardhshme, ku në mesin e agjendës do të ketë mundësi të zhvillojë dhe një takim bilateral me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
“Në Stamboll do të mbahet edhe Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë ku do të marrin pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Turqia si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Gjatë bashkëbisedimit, u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta edhe në fushat e kulturës, mbrojtjes dhe investimeve. Dy vendet tona ndajnë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale andaj dhe thellimi e përforcimi i tyre mbetet objektiv i dyanshëm”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.
Gjithashtu, bëhet e ditur se kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë e popullit të saj ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e përkrahjen e palëkundur së fundmi për aderim në Këshillin e Evropës.