Analisti kosovar Melazim Koci tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka të drejtë në deklaratën e saj se Qeveria nuk është koordinuar me të për letrën që u dërgua në Këshill të Evropës. Sipas tij, Osmani ka përgjegjësi në politikën e jashtme, që ia garanton edhe Kushtetuta e vendit.
“Ajo ka të drejtë, sepse presidentja është numër një në politikën e Jashtme”, deklaroi Koci, në ‘RTKPrime’.
Koci u shpreh i befasuar që për një çështje aq me peshë presidentja e vendit të mos jetë i njoftuar.
Ai shtoi se sa i përket raporteve mes Presidencës dhe Qeverisë ka kakofoni. Kjo përplasje,mes Presidencës dhe Qeverisë, sipas Kocit, është serioze.
“Vëzhguesit e vëmendshëm e hetojnë se kjo kakofoni ka një histori pak më të largët. Ky është rasti më eklatant” theksoi ai.
Dhe në këtë prizëm, Koci shtoi se presidentja nuk ka faj sepse sipas tij ajo është përgjigjur në logjikën që “na është thënë që nuk mund të nxirret Asociacioni nga marrëveshja”.
Ai tutje theksoi se sipas zhvillimeve duket se mospajtimet mes Osmanit dhe Gërvallës datojnë më herët. Ai përmendi edhe deklarata të presidentes Osmani nëpër studio të ndryshme televizive.
“Kam përshtypjen se nuk është vetëm e këtij rasti. Ajo disonancë, mos koordinim nuk është çështje vëtëm e ditës kur zonja Gërvalla doli me propozimin, por duket se ka pasur edhe më herët mospajtime”, tha Koci.
Koci theksoi se deklarata e ministres Gërvalla është incident politik dhe duhet të tejkalohet me sa më pak dëme anësore.
“Nuk është në favorin e Kosovës të ndodhin gjëra të tilla”, theksoi ai.