Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024” është hapur të mërkurën, në të cilin marrin pjesë mbi 100 kompani vendore dhe ndërkombëtare e që do të zgjasë tri ditë më radhë.
Ky panair është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, sipas të cilëve ky panair është mundësi ideale e avancimit të proceseve ekonomike, përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërkombëtarizimin e ekonomisë kosovare.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se pjesëmarrës në këtë panair janë nga e gjithë bota, andaj ka kërkuar nga bizneset që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
“Këtë vite kemi nderin të presim pjesëmarrës nga e gjithë bota. Prania e juaj është dëshmi e frymës së qëndrueshme ndërkombëtare. Panairi ynë ka ofruara mundësi për shkëmbim të njohurive dhe praktika të biznesit. Gjatë këtij panair do të këtë diskutime të rëndësishme mbi investimet, fondin e sfidave të rajonit dhe prezantimin e ndërmarrjeve të suksesshme. Ky panair nuk është thjeshtë një event është një mundësi e përparimit, andaj ta shfrytëzojmë këtë mundësi për lidhjen e partneritetit”, ka thënë Rafuna.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se panaire të tilla ndihmojnë bizneset që t’i promovojnë produktet e tyre. Bislimi ka thënë se i rëndësishëm për Qeverinë është pozicionimi më i fort në tregun e jashtëm, ndërsa përmend edhe numrin e bizneseve që janë përkrahur në promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre.
“Panairi si kjo ndihmojnë në promovimin dhe rrjetëzimin e bizneseve lokale, ofrojmë mundësi të zgjerimit të tregut dhe tërheqin investitorë të rinj. Ngjarje si kjo nxisin eksportet dhe divesifikimin e ekonomisë sonë, tërheqin turistë dhe gjenerojnë të ardhura për bizneset lokale duke treguar një ekonomi më të fort. Për ne është shumë me rëndësi që bizneset e vendit tonë dhe produktet tona të kenë një pozicionim sa më të fortë në treg për çka kemi ku kemi mbështetur deri tani mbi 250 biznese në promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në 41 panaire ndërkombëtare duke rritur konkurrencën e tyre jashtë Kosovës. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se gjatë tri viteve të fundit Kosova ka arritur mesatarisht një rritje ekonomike prej 6,2 për qind. Kemi dyfishuar eksportet dhe kemi përmirësuar ndejshëm raportin e tyre me importet. Investimet e huaja direkte janë dyfishuar në këtë periudhë, duke e rritur numrin e vendeve të punës që nga viti 2021. Ajo që na bënë krenarë është dyfishimi i punësimit të të rinjve”, u shpreh Bislimi.
Investim për të ardhmen panaire të tilla e konsideron edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci. Ai ka thënë se bizneset që janë në domenin e tij janë përkrahur me mbi 200 milionë euro.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka folur për përkrahjen që u ka dhënë prodhuesve vendës, në të cilën shuma e përkrahjen përmes subvencioneve ka shkuar në mbi 200 milionë euro.
Prioritet ka thënë se e ka krijimin e një bujqësie të qëndrueshme, teksa zotohet për mbështetje për bizneset në rritjen e kapaciteteve prodhuese e përpunuese.
“Eventet si panairet në planin afatgjatë sikur ky në aspektin e zhvillimit ekonomik janë një investim që kthehet sepse përmes këtyre mekanizmave fuqizohet aspekti i rrjetëzimit, vendoset kontakte të reja e ndërtohen ura të bashkëpunimit për të ardhmen. Ministria të cilën e drejtoj unë, ka investuar në gjithë zinxhirin e vlerës duke filluar nga prodhimi primar përmes subvencionimit, përmes subvencioneve e deri tek mbështetja apo përkrahje e bizneseve në rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese dhe përpunuese në një vlerë që nga që nga fillimi i mandatit e deri tani mbi 200 milionë euro”.
“Gjatë mandatit të qeverisë Kurti II është realizuar për herë të parë strategjia e bujqësisë që ka për objektiv krijimin e një bujqësie të qëndrueshëm. Panairet janë mundësi e artë për të promovuar produktet tona që kanë arritur prodhimin final por edhe ato që janë në faza të më hershme. Promovimi, promovimi dhe promovimi është aspekti në të cilët angazhimi institucional i odave ekonomike por dhe bizneseve duhet të jetë orientim në të ardhmen sepse Kosova ka kapacitet, ka potencial dhe ka prodhimtari në të cilin na duhet promovimi dhe lidhja e urave të bashkëpunimit”, ka thënë Peci.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të misionit të USAID-it, Kerry Monaghan-Hogler, ka thënë se gjatë tri ditëve të ardhshme disa nga përpjekjet më të rëndësishme për të ngritur pozitën globale të Kosovës do të ndodhin pikërisht në këtë panair.
Ajo ka shtuar se bizneset bëjnë punë të jashtëzakonshme duke i treguar botës Kosovën e vërtetë dhe duke krijuar lidhje të reja me ekonomitë në Evropë dhe më gjerë.
“Gjatë tri ditëve të ardhshme disa nga përpjekjet më të rëndësishme për të ngritur pozitën globale të Kosovës do të ndodhin pikërisht këtu. Ne e dimë se bizneset vendore janë kritike për të siguruar që Kosova të mund të zërë vendin e saj të merituar në skenën botërore. Ato bëjnë punë të jashtëzakonshme duke i treguar botës Kosovën e vërtetë dhe duke krijuar lidhje të reja me ekonomitë në Evropë dhe më gjerë. Megjithatë, për të luajtur këtë rol jetësor, shumë kompani kosovare fillimisht kërkojnë marrëveshje dhe partneritete me homologët ndërkombëtarë për t’i ndihmuar ato të kenë akses në tregje të reja. Pasi të ndodhë kjo, ne kemi parë herë pas here se kur njerëzit në botë përjetojnë cilësinë e produkteve dhe shërbimeve të Kosovës për herë të parë, ata zakonisht duan më shumë.
“Prishtina 2024 është pjesë e përpjekjeve më të gjera 25-vjeçare të USAID-it për të ndërtuar një mjedis të favorshëm biznesi në Kosovë dhe për të rritur profilin ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë kohë ne ndihmuam në sjelljen e bankës së parë komerciale në Kosovë, krijuam fondin e garantimit të kredive të vendit për të mbështetur mijëra kredi biznesi dhe ndihmuam në themelimin e një gjykate të re tregtare për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Të ndihmosh sektorin privat të Kosovës të rritet dhe të angazhohet në tregjet globale është hapi tjetër”, ka thënë ajo.
Abdulrahman Almufarreh, kryetar i Këshillit të Biznesit të SSE ka thënë se gjatë këtij panairi do të nënshkruajmë një marrëveshje, si dhe do të shpallin fillimin e fluturimeve direkte nga Arabia Saudite në Kosovë deri në fund të këtij viti.
“Ne i respektojmë të gjithë miqtë tanë, pavarësisht nga madhësia e biznesit midis Arabisë Saudite dhe partnerëve tanë, sepse ne duhet të punojmë si partnerë. Herën e fundit erdhëm me ambicie dhe na është premtuar, siç ju thashë, nga partnerët tanë se do të ndihmojnë, me premtimin se do të zhvillojmë biznesin e tyre. Kjo është arsyeja pse sot dhe nesër gjatë këtij panairi do të shpallim dhe do të nënshkruajmë një marrëveshje B2B, si dhe do të shpallim fillimin e fluturimeve direkte nga Arabia Saudite në Kosovë deri në fund të këtij viti. Pra, ne jemi të përkushtuar dhe jam i sigurt se për çdo vit biznesi do të rritet dhe ne i bëmë ftesën tonë partnerëve tanë në Kosovë dhe të gjithë partnerëve dhe miqve tanë në vendet e tjera evropiane që të vijnë në Arabinë Saudite për të përjetuar mundësitë masive në fusha të ndryshme dhe do të keni të gjithë ndihmën nga qeveria dhe nga sektori privat”, ka thënë ai.