Papa Françesku ka kërkuar falje pas raportimeve se kishte përdorur gjuhë tejet përçmuese ndaj homoseksualëve, tha Vatikani të martën.
Vatikani tha në një komunikatë se qëllimi i papës nuk ishte ta fyente askënd dhe se u kërkon falje atyre të cilët “u lënduan nga fjalët e tij”.
“Qëllimi i papës nuk ka qenë asnjëherë të fyejë, apo të shprehet me fjalë homofobike. Ai u kërkon falje atyre të cilët u ndien të fyer nga përdorimi i termit që u raportua nga të tjerët”, tha zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.
Media italiane raportuan të hënën se Françesku e përdori termin italian “frociaggine”, një shprehje tejet përçmuese, derisa po u tregonte peshkopëve italianë se ai vazhdon të jetë kundër pranimit të homoseksualëve në priftëri.
Portali italian Dagospia ishte i pari që raportoi për incidentin e dyshuar, i cili besohet se ka ndodhur më 20 maj, kur papa u takua privatisht me peshkopët italianë.