Ish-kryetari i Prishtinës dhe ish-nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka folur për zhvillimet politike në Qeverinë Kurti.
Ahmeti tha se Kosova në tri vitet e fundit është bërë problematikja më e madhe për ndërkombëtarët dhe nuk po bëhet racionale e rrjedhimisht edhe partnerët s’po e kuptojnë.
Ai tha se situata është e riparueshme, por sipas tij, duhet zgjedhur një rrugë më e shkurtë e me më pak dëme, teksa shprehu gatishmërinë që në një qeveri teknike ta nënshkruajë Asociacionin.
“Ta bëjmë një qeveri teknike, unë e nënshkruaj, le të më thonë tradhtar, s’ka problem. Unë e di që sa herë i kemi dëgjuar dhe kemi folur në mënyrë racionale me miqtë tanë, na ka dalë mirë, e edhe kësaj radhe do të na dilte mirë”.
“Unë nuk pres që kryeministri Kurti e dërgon në Gjykatën Kushtetuese draftin (draft-statutin e Asociacionit) para zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve, mendoj se do ta bëjë. Nuk pres të ndodhë asnjë gjë në aspektin e presionit ndërkombëtar”, tha Ahmeti.
Ish-kryetari i Prishtinës më tej tha se në ditën që Kosova e dërgon draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli i Ministrave pas një muaji do të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme, ku Kosova do të anëtarësohet në KiE.