Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të 24 Majit – Ditës së Presidentit, ka vizituar Shtëpinë e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, ku së bashku me familjen e ish-presidentit historik, ka marrë pjesë në përurimin e librit “Liria si imanencë njerëzore” – (Fjalime të Presidentit Rugova, 1976-2005).
Osmani ka thënë se kjo ditë e vendosur nga presidenti historik, Ibrahim Rugova, është ditë e simbolikës shtetërore në Republikën tonë.
Libri me autor Munish Hyseni është botuar nga Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.
Presidentja Osmani, në një fjalë rasti, ka kujtuar si në kohën e rezistencës dhe organizimit paralel para lufte, në këtë shtëpi e cila njihej si e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Rugova mbante konferenca të rregullta çdo të premte, pikërisht në orën 12:00.
“Ora 12 në Shtëpinë e Pavarësisë, apo në shtëpinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si njihej paralufte, është një kujtesë historike për të gjithë ne, sepse po në këtë orë, çdo të premte, arkitekti i pavarësisë së Kosovës, presidenti historik, apo si njihej, Dr. Ibrahim Rugova, me konferencat e tij të përjavshme për shtyp, sensibilizoi për vite me radhë opinionin ndërkombëtar, për ngjarjet ne Kosovë”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se 24 maji, Dita e Presidentit, është vendosur nga vetë presidenti historik, Ibrahim Rugova dhe është një ditë e simbolikës shtetërore në Republikën tonë dhe se janë mbledhur, sot këtu, në Shtëpinë e Pavarësisë, për të promovuar librin “Liria si imanencë njerëzore”, e autorit Munish Hyseni, projekt i bibliotekës presidenciale Ibrahim Rugova që përmbledh fjalimet e tij të zgjedhura dhe të sistemuara nga Munish Hyseni.
Osmani përkujtoi se 24 maji lidhet me ditën kur Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës, më 24 maj të vitit 1992, në zgjedhjet e para demokratike të mbajtura nën okupim.