Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Pjetër Shalën.
Sipas zëdhënëses së DhSK-së Angela Griep, vendimi është marrë më 17 maj nga trupi gjykues i cili kishte konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku se Shala mund të pengojë ecurinë e procedurave ose të kryejë vepra të tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Më 17 maj, Trupi Gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Pjetër Shalës, duke konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku se z. Shala mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Trupi Gjykues vendosi gjithashtu se vetëm në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara mund të kryhet mbikëqyrja e efektshme e komunikimeve të të akuzuarit”, tha Griep.
Gjatë konferencës për informimin javor të DhSK-së, Griep tha se është konstatuar se ekziston rreziku që Shala mund të bëjë kërcënime andaj edhe masa e paraburgimit për atë vazhdon të jetë e arsyeshme.
“Trupi Gjykues rikujtoi se të gjithë dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria kanë dhënë dëshmi dhe se janë paraqitur prova shtesë të cilat mund të jenë inkriminuese. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues vendosi se ekzistonte rreziku se z. Shala mund t’i realizojë kërcënimet e bëra më parë, veçanërisht duke pasur parasysh atmosferën e përgjithshme të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë. Duke qenë se gjykimi po përparon pa vonesa të papërligjura, Trupi Gjykues konstatoi se koha që i akuzuari ka kaluar në paraburgim vazhdon të jetë e arsyeshme”, tha Griep.