Projeksionet e Bankës Botërore (BB) për rritjen ekonomike në Kosovë për vitin 2021 prej 3.7 për qind nga ekspertët e ekonomisë po konsiderohet reale dhe lehtë e arritshme.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se projeksionet e Bankës Botërore janë të besueshme, por që nuk është e mjaftueshme për nevojat dhe rrethanat në të cilat gjendet vendi.
“Projeksionet e Bankës Botërore janë shumë të besueshme. Norma 3.7% për kushtet tona nuk është normë e lartë edhe pse gjysmë viti na shkojë me pandeminë me probleme dhe mund të arrihet”.
“Kur krahasohen normat me një vit paraprakë pra nëse viti i kaluar ka qenë i suksesshëm, viti vijues e ka vështirë me mbajt trendin dhe meqenëse vitin e kaluar kemi pasur rënie një normë prej 3.7% nuk është e vështirë mu arrit nevojitet vetëm riaktivizim i kapaciteteve ekzistuese për tu arritur norma prej 3.7″.
“Kjo është normë solide, por nuk është e mjaftueshme për nevojat dhe rrethanat tona, problemet që i kemi në sferën e zhvillimit ekonomik dhe në zgjidhjen e problemeve sociale dhe duhet një angazhim më dinamik dhe intensiv”.
Shatri tutje ka theksuar se nuk po sheh angazhim as sa duhet nga ana e ekzekutivit, derisa ka shtuar se norma prej 3.7% mund të arrihet vetvetiu.
Ai thotë se norma e GDP-së këtë vit është e njëjtë me atë të vitit 2019 për shkak të rënieve në vitin 2020.
“Nuk po shoh që po bëhet diçka sepse kjo normë prej 3.7% më duket që do të arrihet vetvetiu pa asnjë angazhim të askujt sepse bizneset janë sektor privat dhe ata luftojnë që secili për vete me arrit rezultat më të mirë, mirëpo nuk po shoh angazhim të Qeverisë”.null
“Ne në këtë vit jemi në nivelin e GDP-së të vitit 2019 për shkak të rënies dhe kjo rritje nuk garanton as fundin e vitit 2019, por e ka ndalur trendin negativ”.
Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) Agim Shahini thotë se është i besueshëm raporti i Bankës Botërore.
Ai thotë se sipas AKB-së rritja ekonomike për këtë vit duhet të jetë rreth 4% e që për të kjo rritje është e lartë nëse do të ketë hapje të ekonomisë.
“Raportet ndërkombëtare janë të besueshme për vendoret por ne mendojmë që edhe ata që hartojnë politika zhvillimore edhe ata që raportojnë duhet i nënshtrohen një rregulli real”.
“Sipas AKB-së rritja ekonomike këtë vit duhet të jetë rreth 4% dhe kjo është një rritje në statistikën e lartë por në gjendjen në të cilën kemi qenë vitin e kaluar me -7% atëherë kjo rritje do të jetë e lartë realisht nëse hapet ekonomia dhe mundësia për investime”.
Rritja ekonomike me 3.7% sipas BB-së në Kosovë është më e larta krahasuar me vendet e rajonit.
“Me vendet e tjera të rajonit është më e larta por realisht si shifër duket e lartë, por si realitet Kosova mund të mburret nëse kjo do të ishte shifër dy shifrore”.
“Synimi i rritjes së GDP-së është ë faktorin e rritjes së punësimit, por vendi jonë ka më shumë potencial nëse do të krijohen politika më miqësore për ndërmarrës dhe për hapjen e ekonomisë së zhvillimit dhe prodhimit, prandaj Qeveria e vendit duhet ta ketë prioritet zhvillimin ekonomik, luftën kundër varfërisë”, tha Shahini