Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur me një shqiptar nga Kosova, i cili ka zgjedhur të operojë këmbën e majtë në një prej spitaleve të Shkupit.
Pas problemeve me gjurin e majtë, Remzi Toçilla, nga qyteti i Ferizajt ka lënë takim në klinikën private në Shkup për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale. Por pas daljes së narkozës, ai vuri re se mjekët i kishin operuar gabimisht gjurin e djathtë në vend të atij të majtë.
Toçilla tha se mjekët duke qenë se kishin gabuar, u munduan të justifikoheshin se gjuri i majtë i dëmtuar, kishte bërë që t’i shfaqeshin problem dhe në këmbën tjetër.
“Pas operimit dola në dhomën ku isha i vendosur. Pasi më kaloi anestezioni e vërej se nuk ishte e fashuar këmba e majtë, por e djathta. Po e pyes mjekun: Mjek ç’ka u bë? Unë erdha ta operoj këmbën e majtë. Ç’ka është kjo kështu? Më tha: Vura re se duke tentuar ta mbrosh këmbën majtë, ke dëmtuar të djathtën, ndaj që vendosa ta operoj. Kur erdhi gruaja aty, se ajo priste jashtë pasi të kryhej vizita e mjekut. Kur erdhi u habit krejt. Tani edhe vëllai ishte jashtë duke pritur… U habitën krejt! “, tha Toçilla.
Pasi përfaqësues të spitalit e kishin kuptuar gabimin, i ofruan që t’i operojnë edhe gjurin e majtë falas, por ai i refuzoi. Situata mori një rrjedhë tjetër, kur Toçilla konsultohet me mjek të dytë, i cili i thotë se nuk ai nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në asnjë nga këmbët.
“Jam konsultuar edhe me mjekun tjetër. Më tha shyqyr që nuk ta kanë dëmtuar këmbën e djathtë. Kanë tentuar të bëjnë diçka, por nuk kanë bërë asgjë. As nuk ta kanë dëmtuar dhe asgjë tjetër, e ke në të njëjtën gjendje. Kanë improvizuar më shumë. Unë të propozoj që mos të vazhdosh më tutje, asnjë intervenimi kirurgjikal”, tha Koçilla.
Pacienti nga Ferizaj kishte paguar 1700 euro për ndërhyrjen, e në fund në vend se të shërohet, ai detyrohet që të shpenzojë edhe më shumë para duke angazhuar avokat për ta gjetur drejtësinë.