Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve, bazuar në autorizimet ligjore, për dy raste të ndryshme i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës.
Rasti i parë është raportuar të ketë ndodhur në Stacionin Policor të Fushë Kosovës ku hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e një punonjësi të PK-së (staf civil – pa autorizime policore) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se stafi civil gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kishte hyrë në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës dhe kishte bërë verifikimin e një personi që dyshohet se kishte kryer dhunë në familje.
Rasti për të cilin kishte kërkuar zyrtari nuk kishte ndodhur në territorin ku kompetent ishte stacioni policor i Fushë Kosovës.
Në rastin e dytë IPK ka rekomanduar suspendimin e dy punonjësve të Policisë së Kosovës (një zyrtari policor dhe një stafit civil të PK-së) të cilët kanë qenë duke shërbyer në Stacionin Policor Lipjan.
Që të dy zyrtarët janë suspenduar me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm” pas një mosmarrëveshje që të njëjtit kishin pasur mes njëri tjetrit.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtyre dy rasteve.