Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se bashkatdhetarët janë pjesë e rëndësishme në çdo proces për vendin.
Haradinaj në vazhdën e vizitës në Gjermani, ka takuar sot strukturën e nëndegës së AAK-së në Bavari.
“Para një viti isha pjesë e punimeve të Kuvendit Zgjedhor të Aleancës për Bavari. Që nga ajo kohë kryetari kësaj nëndege, Selim Hoti, me bashkëpunëtorë ka krijuar një atmosferë pune që ka ndikuar në mobilizmin e strukturave të Aleancës në Gjermani dhe afrimin me bashkatdhetarët tanë. Sot, në takim me bashkatdhetarë, organizuar nga Këshilli i degës së AAK-së për Bavari, në Nuremberg, përjetova një pritje tejet të ngrohtë. Me ta, pata kënaqësinë që të flasim për zhvillimet në Kosovë dhe proceset që na presin muajt vijues”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se mbështetja për koalicionin e prirë nga Aleanca është e jashtëzakonshme dhe po rritet çdo ditë.
“Aleanca është partia me mbështetjen më të madhe në Gjermani falë angazhimit e përkushtimit të strukturave të saj. Mbështetja për koalicionin e prirë nga Aleanca është e jashtëzakonshme dhe po rritet çdo ditë”.
“Për mua dhe Aleancën, bashkatdhetarët janë pjesë e rëndësishme në çdo proces për vendin. Ashtu siç kishin rolin e tyre jetik për lirinë e Atdheut, shtetformimin e shtetndërtimin, ata janë pjesë e jona e pandarë në përkushtimin tonë për ta sjellë ndryshimin dhe për ta orientuar Kosovën drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, është shprehur ish-kryeministri.