Ministrat e Jashtëm të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të takohen sot në Strasburg në sesionin vjetor me rastin e 75-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, por çështja e pranimit të Kosovës në këtë mekanizëm nuk është në agjendë.
Qeveria e Kosovës nuk e dërgoi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të BE-së për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që së fundmi ishte vendosur edhe si kusht për Kosovën për anëtarësimin në këtë organizatë.
Kosova ka më shumë se një vit që ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti raportin e Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Por vendet kryesore evropiane e kushtëzuan votimin me konkretizimin e hapave të parë drejt themelimit të Asociacionit. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin qysh në vitin 2013. Në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës konsideroi se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës.