Qeveria e Albin Kurti po planifikon shkarkimin edhe të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit.
Në kuadër të shkarkimeve dhe kapjes së institucioneve nga qeveria Kurti tashmë është hartuar deri në detaje edhe plani për shkarkimin e kryeprokurorit te shteti, Aleksander Lumezit dhe zgjedhjen e një kryeprokurorit të ri, i cili do të jetë i përshtatshëm për pushtetin e ri.
Burimet e Gazetës Insajderi kanë zbuluar se tashmë shumica e anëtarëve të Këshillit Prokurorial janë rreshtuar në krahë të qeverise Kurti, përkatësisht të ministres se Drejtësisë, Albulena Haxhiut, për të pasur vota të mjaftueshme për shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi.
E gjithë kjo iniciative rrjedh prej arrestimi të Lavdim Krasniqit, ish drejtori i Këshillit Prokurorial, i cili është arrestuar për korrupsion muaj më parë. Ai është familjare i bashkëshortit të Albulena haxhiut, Alban Krasniqit.
Këto kombinime pritet që në ditët ose javët në vazhdim të iniciohet shkarkimi i kryeprokurorit të Shtetit, siç ka ndodhur me shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka dhe siç po pritet shkarkimi i Avokatit te Popullit, Naim Qelaj, i cili pritej që të dërgonte rastin e Dakës, në Gjykatën Kushtetuese.
Shkarkimi i Lumezit do të jetë njëra prej akteve më të rënda të qeverisë Kurti për kapjen e gjithë shtetit përfshirë sistemin e Drejtësisë.
Këto burime i kanë treguar Insajderit se pjesa më e madhe e anëtarëve të Këshillit Prokurorial kanë pasur takime të fshehta me drejtues të qeverisë të Vetëvendosjes, për ta realizuar shkarkimin e kryeprokurorit.
Për të gjitha këto zhvillime tashmë janë të njoftuar edhe shtetet anëtare të QUINT-it në Kosovë.
Dy vite më parë Kurti dhe partia e tij po bënin një fushatë të egër ndaj Aleksander Lumezit duke premtuar se pasi të vijnë në pushtet do të punojnë për shkarkimin e tij.
Madje, vet kryeministri pati deklaruar se në momentin kur të vjen në pushtet, do të shkojë Aleksandër Lumezi, ndërsa në vend të tij do të vijë Elez Blakaj.
“Le të ecë Lumezi që të kthehet Elezi”, kishte thënë Kurti.
Madje, edhe edhe vet Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në vitin 2018 kishte kërkuar dorëheqjen e Aleksandër Lumezit.
Ndërsa, sot Gazeta Insajderi ka raportuar se qeveria e Kurtit pritet ta iniciojnë procesin e shkarkimit edhe ndaj avokatit të Popullit, Naim Qelaj. Arsye pse pritet ta bëjnë një gjë të tillë është mundësia që ai ta dërgojë rastin e Valdete Dakës në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit u shkarkuar nga Presidentja, Vjosa Osmani.