Ish-zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, e ka kritikuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi dhe ambasadorin amerikan Christopher Hill, për mos reagim ndaj thirrjes së Shtëpisë së Bardhë për të shtensionuar situatën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në llogarinë e tij në Twitter, ai ka numëruar orët prej kur Shtëpia e Bardhë ka reaguar, duke thënë se për mbi 10 orë, ambasadori Hill dhe Ambasada Amerikane në Serbi nuk e kanë shpërndarë reagimin e Shtëpisë së Bardhë në Twitter, raporton Klan Kosova.
“Shtëpia e Bardhë e alarmuar po i bën thirrje Serbisë që t’i tërheqë trupat e saj përgjatë kufirit me Kosovën. Sekretari Blinken ia ka nënvizuar Vuçiqit nevojën për të de-eskaluar tensionet me Kosovën. Mbi 10 orë kanë kaluar dhe as ambasadori amerikan në Serbi Christophfer Hill dhe as Ambasada e ShBA-së në Serbi nuk i kanë shpërndarë mesazhet e krizës”, ka shkruar Joseph në Twitter.
“Duke folur në SAIS, Madeline Albright tha një herë se “ajo që ka më shumë rëndësi në diplomaci është ajo që thuhet publikisht”. Ambasadori Hill ka postuar herën e fundit më 26 shtator dhe Ambasada e ShBA-së në Serbi më 26 shtator. Po të ishit ju në vend të presidentit Vuçiq, çfarë mesazhi do të kishit marrë?”, ka pyetur ai.
Kujtojmë se të dielën (24.09.2023) një formacion ushtarak serb kreu një sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë humbi jetën një rreshter i Policisë së Kosovës.