Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kabinetet e tyre, ishin në vizitë sot në shtëpinë e rreshterit të ndjerë të Policisë, heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.
Kryeministri Kurti shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku. Vepra e tij dhe përkushtimi ndaj atdheut, do të jetë gjithmonë në mendjet e zemrat tona.
“Afrim Bunjaku, nga rreshter i Policisë u bë hero i Kosovës. Emri i tij s’do të harrohet kurrë. Gjaku i tij s’do të humbë asnjëherë. Rënia e tij heroike ngrit lart Republikën e pavarur dhe përgjegjësinë shtetërore për ligj e rend e siguri anembanë për të gjithë dhe secilin. Lavdi!”, shkroi Kryeministri Kurti në librin e kujtimeve.
Ndërsa Kryetari i Kunvendit, Glauk Konjufca, në librin e përkujtimeve ka shkruar se flijimi i tij është testamenti se si duhet të jepet jeta kur rrezikohet Atdheu.
“Rënia e Afrim Bunjakut është amanet, Flijimi i tij është testamenti se si duhet të jepet jeta kur rrezikohet Atdheu. Emri i tij prej heroi është përjetësuar në historinë e dëshmisë. Lavdi”, ka shkruar Konjufca.